Erdogan vijon përndjekjen e mbështetësve të Gylen, 68 urdhër-arreste

schedule14:20 - 2 Korrik, 2018

schedule 14:20 - 2 Korrik, 2018

Autoritetet turke kanë lëshuar urdhër arreste për 68 persona. Ata akuzohen se janë mbështetës të imamit Fetullah Gylen, i cili konsiderohet terrorist nga presidenti Erdogan. 

Prokuroria e Turqisë ka lëshuar urdhër për arrestiminm e 68 personave që dyshohen se bëjnë pjesë në organizata që kanë lidhje me imamin Fetullah Gylen. Ky i fundit konsiderohet armiku kryesor i presidentit Rexhep Tajip Erdogan, i cili tashmë ka pushtet të palimituar me ndryshimet kushtetuese që hynë në fuqi pas zgjedhjeve të qershorit.

Urdhri është lëshuar nga zyra e Prokurorit shtetëror në Ankara, ndërsa të gjithë 68 të dyshuarit janë pjesëtarë të Komandës së Forcave Tokësore të Turqisë, prej të cilëve 19 ushtarë aktivë. Kështu raporton agjencia shtetërore e lajmeve Anadollu. Duke vepruar në bazë të urdhrit të Prokurorisë, policia turke ka zhvilluar operacione në të njëjtën kohë në 19 provinca turke dhe ka arrestuar 19 të dyshuar.

Presidenti Erdogan, i sapokonfirmuar për një mandat tjetër 5-vjeçar, akuzon klerikun Gylen se qëndron prapa grushtit të dështuar të shtetit të zhvilluar me 15 korrik të vitit 2016, me qëllim për të përmbysur rendin kushtetues dhe qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike në Turqi. Por nga ana tjetër Gylen ka mohuar çdo përfshirje në ngjarjet e tmerrshme ku u vranë 250 persona. Ndërkohë, analistët mendojnë se me fuqitë e reja ekzekutive, Erdogan do të vijojë me përndjekjen e ndjekësve të Gylen dhe me burgosjen e tyre. Kreu i shtetit triumfoi në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në qershor. /abcnews.al