Gjermania u shokua mbrëmjen e djeshme nga Spanja, pasi të besuarit e Joachim Low u mposhtën 6-0 nga iberikët. Në ndeshjen e fundit të grupit 4 në Ligën A, gjermanët u befasuan nga vendasit, të cilët do të jenë ata që do të luajnë në Final Four. Trajneri Low ka mbetur i habitur me atë që ndodhi si dhe e pranon se kundërshtari luajti më mirë.
“Unë me të vërtetë nuk e di se çfarë ka ndodhur me ekipin. E kishim shumë të vështirë të krijonim ndonjë shans konkret në portën e Spanjës. Gjithashtu, nuk fituam asnjë betejë në duelet një kundër një”, janë fjalët e gjermanit pas ndeshjes.
“Në pjesën e dytë ne u përpoqëm që t’i mbanim lart me presion, që në këtë mënyrë të shënonim, por nuk ia dolëm. Kërkuam të riktheheshim në lojë. Spanja luajti shumë herë më mirë se ne. Ata ishin më të shpejtë dhe më të saktë në veprimet e tyre”, përfundon Low. /abcnews.al