Koalicioni qeverisës në Gjermani rrezikon të rrëzohet. Ministri i brendshëm ka paraqitur dorëheqjen e tij. Megjithatë është shprehur i gatshëm të negociojë, nëse CDU e Merkel do të bëjë lëshime në çështjen e pritjes së emigrantëve.
Presidenti i Unionit Kristiansocial CSU, Horst Seehofer, mund të qëndrojë në politikë dhe nuk do të dorëhiqet si ministër i brendshëm gjerman, vetëm nëse Unionit Kristiandemokrat CDU, i Angela Merkel do të bënte nja hap prapa në politikën për emigrantët. Kjo është bërë e ditur nga burime pranë partisë bavareze, duke saktësuar që Seehofer ka paraqitur dorëheqjen e tij si nga drejtimi i partisë ashtu edhe në ministri. Por kjo dorëheqje është refuzuar nga shefi i grupit të Unionit Kristiansocial në Bundestag, Alexander Dobrindt.
Seehofer gjithashtu i konfirmoi personalisht gazetarëve gatishmërinë për të dhënë dorëheqjen nëse nuk ka kompromis me CDU-në për emigrantët: “Është e vërtetë që kam vendosur mandatet në dispozicion dhe do të nxjerr pasojat në tri ditët e ardhshme. Si hap të ndërmjetëm, do të takohem me CDU-në, me shpresën që ne mund të dakordësohemi. Gjithçka tjetër do të vendoset më vonë”, u shpreh ai për gazetarët.
Kriza që po kërcënon koalicionin qeveritar gjerman është vetëm pjesërisht rezultat i mosmarrëveshjes me CSU të Ministrit Seehofer mbi çështjen e emigrantëve. Në sfond ka gjithashtu zgjedhjet e Bavarisë në tetorin e ardhshëm, në të cilat partia simotër e CDU-së mund të humbasë shumicën absolute të saj historike. Konfrontimi i hapur megjithatë erdhi pasi Merkel kundërshtoi propozimin e Seehofer për kthimin pa kushte të atyre emigrantëve që tashmë ishin të regjistruar në vende të tjera evropiane. Por këtë, CSU e konsideron thjesht aplikimin e Traktatit të Dublinit. /abcnews.al