Izraeli tha se ka nisur sulme ajrore kundër një numri të objektivave në Siri, kundër ushtrisë siriane dhe Forcës Kuds të Iranit.
Agjencia shtetërore e lajmeve siriane raportoi se tre pjesëtarë të ushtrisë u vranë dhe një u plagos gjatë sulmeve.
Sidoqoftë, Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë me seli në Britani të Madhe, tha se gjithsej 10 persona u vranë, duke përfshirë pesë luftëtarë të huaj “me gjasë iranianë dhe i përkisnin forcës Kuds, si dhe dy luftëtarë pro-Iranit me kombësi të papërcaktuar”.
Sulmet e Izraelit filluan pasi forcat e sigurisë së saj gjetën eksploziv të vendosur në Rrafshnaltën e Golanit.
Izraeli okupoi Rrafshnaltën e Golanit nga Siria në luftën e vitit 1967 dhe më vonë e aneksoi.
Nënkolonel, Jonathan Conricus, një zëdhënës ushtarak izraelit, tha se u goditën tetë objektiva në zonat që shtriheshin nga ana e kontrolluar nga Siria në Rrafshnaltën e Golanit deri në periferinë e Damaskut.
“Objektivat përfshinin selinë ushtarake iraniane në aeroportin ndërkombëtar të Damaskut, një ‘vend i fshehtë ushtarak’ që shërbeu si “strukturë pritjeje për delegacione të larta iraniane kur ata shkonin në Siri për të operuar” dhe ndaj Divizionit të 7-të të forcave të armatosura siriane që mbikëqyr pjesën siriane të Rrafshnaltës së Golanit”, tha Conricus.
Ai shtoi se forcat elitare të Iranit, Kuds janë të përfshira në Divizionin e 7-të të ushtrisë siriane.
Izraeli ka goditur vazhdimisht objektivat iraniane në Siri dhe ato të milicive aleate, përfshirë Hezbollahun e Libanit.
Irani është një aleat kryesor i presidentit sirian, Bashar al Assad, por Damasku kurrë nuk e ka pranuar publikisht se forcat iraniane po veprojnë në emër të tij në luftën civile në Siri.
Izraeli e shikon Iranin si kërcënimin e tij më të madh dhe thotë se nuk do të tolerojë krijimin e një pranie të përhershme ushtarake iraniane në Siri./rel