Iran, përleshje të dhunshme mes policisë dhe manifestuesve

schedule14:10 - 1 Korrik, 2018

schedule 14:10 - 1 Korrik, 2018

Iranianët kanë protestuar kundër rritjes së çmimit të ujit. Mësohet se gjatë manifestimeve, një person është vrarë me armë zjarri nga policia. Ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Të paktën 1 person është vrarë në përleshjet e dhunshme të regjistruara në qytetin Khorramshahr, në jug të Iranit, mes policisë dhe manifestuesve, të cilët protestonin kundër rritjes së çmimit të ujit. Lajmi raportohet nga mediat ndërkombëtare që citojnë burime lokale. Në këto përleshje, kanë mbetur të plagosur dhe disa persona.

Sipas asaj që bën të ditur agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, agjentët kanë përdorur gaz lotësjellës për të shpërndarë qytetarët. Por këta të fundit janë kundërpërgjigjur duke lëshuar gurë dhe objekte të tjera të forta kundër policisë. Gjatë përleshjeve janë regjistruar dëme të shumta materiale. Ndërkohë në internet po qarkullojnë video ku shfaqin forcat e rendit që hapin zjarr kundër manifestuesve.

Sipas agjencisë IRNA, manifestuesit kanë lëshuar gurë ndaj policisë, që është përgjigjur me gaz lotësjellës. Në raportim nuk përmenden të shtënat. Protestat, vijnë pas 3 ditëve manifestime në Teheran, gjatë së cilave qytetarët janë përleshur me policinë jashtë godinës së parlamentit. Edhe në këtë rast, agjentët kanë qëlluar me gaz lotësjellës kundër turmës. Manifestimet kanë çuar në mbylljen e përkohshme të disa atraksioneve turistike në Iran. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!