Nëse jeni prekur nga covid-19 dhe vuani nga sëmundje të veshkës është e domosdoshme që të bëni ekzaminime te mjekët specialistë. Doktoresha nefrologe Elvana Rista shprehet se gjatë periudhës së pandemisë kanë konstatuar se veshka është një organ target i virusit dhe në shumë raste dëmtohet edhe në persona që nuk kanë pasur sëmundje të mëparshme veshkash.
Nisur nga kjo mjekja nefrologe këshillon që të kryhet një vlerësim i gjendjes së veshkave 3-6 javë pas kalimit të infeksionit.
“Covid ishte një sëmundje e re për të gjithë. Ajo që ne mësuam në këto muaj ishte që pacientët kronikë, me sëmundje kronike të veshkave mundësia që të bëjnë komplikacione është shumë më e madhe. Edhe po ashtu edhe ata të cilët nuk kanë vuajtur më parë me veshkat po komplikohen nga ky infeksion, veshka është një organ target duke e prekur dhe duke bërë infektimin e saj. Është e rëndësishme që personat që kalojnë Covid të ndiqen për problemet e veshkave më tej. 3-6 javë pas kalimit të infeksionit duhet të kryhet analiza e gjakut, ekoja e veshkës, për të parë dhe rivlerësuar situatën”, thotë mjekja.
Veshka cilësohet një organ jetësor dhe këshillohet që për të gjithë personat që janë të rrezikuar sidomos ata që vuajnë nga diabeti, hipertensioni apo obezët të kryejnë ekzaminime të paktën 1 herë në vit.
“Në personat diabetikë, në personat me hipertensiona, te obezët duhet të bëjmë kontrolle rutinë të paktën një erë në vit. Dhe nëse fillon prekja e veshkës atëherë i drejtohen nefrologut”, shprehet Rista.
Mjekja këshillon që të gjithë pacientët që vuajnë nga sëmundje kronike e veshkave nuk duhet ti neglizhojnë ato pavarësisht situatës ndërsa për pacientët e hemodializës spitali Hygeia ofron të gjitha kushtet dhe masat për triazhimin e pacientëve me qëllim ofrimin e një shërbimi të sigurt në kohë pandemie. /abcnews.al