Trafiku i qenieve njerëzore, Xhafaj: Shqipëria Nuk e përballon e vetme situatën

schedule15:40 - 29 Qershor, 2018

schedule 15:40 - 29 Qershor, 2018

Pas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit sipas të cilit Shqipëria nuk përmbush standardet minimale për eliminimin e trafikut të qenieve njerëzore ka reaguar ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, duke kërkuar ndihmë edhe nga vendet e tjera.

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, theksoi se Shqipëria nuk mund të bëj asgjë e vetme për këtë problem, pa bashkëpunim në nivel rajonal e më gjerë.

Fatmir Xhafaj: “Qeveria shqiptare e ka vendosur luftën kundër trafikimit të personave si një nga prioritetet e saj, duke e fokusuar këtë luftë jo vetëm në goditjen e veprimtarisë kriminale, por edhe në bashkërendimin e forcës për parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit. Realizimi i këtij prioriteti nuk mund të përmbushet nga një qeveri apo shtet i vetëm pa forcimin dhe bashkëpunimin në nivel kombëtar dhe atë rajonal. Është përgjegjësia e gjithësecilit prej ne për të marrë hapat e duhur për asgjësimin e këtij fenomeni, për të ndërmarrë hapat e duhura se për hir së të vërtetës edhe ne si qeveri edhe të gjithë aktorët e tjerë kanë ende shumë në këtë aspekt”. 

Në aktivitetin e organizuar nga ambasada britanike, ministri Xhafaj, shtoi se, çështjet e migrimit të parregullt janë shumë të ndjeshme për rajonin dhe posaçërisht dhe për vendin tonë.

“Nga ana e Ministrisë së Brendshme janë ndërmarrë një sërë hapash të fokusuar në parandalimin si të qenieve njerëzore ashtu dhe të emigrimit në mënyrë të parregullt në jo pak raste, mbart me vete rrisqe që lidhen me shfrytëzimin apo trafikimin, duke marrë në konsideratë edhe faktin që sot çështjet e migrimit të parregullt në situatën aktuale janë çështje shumë të ndjeshme për rajonin dhe posaçërisht dhe për vendin tonë”. 

Ministri i Brendshëm tha se pritet të miratohet “Plani Kombëtar i Veprimit 2018 – 2020”, i cili ka kaluar një proces të gjatë konsultimi me të gjithë aktorët anti-trafikim kombëtar dhe ndërkombëtar./abcnews.al