Arrihet marrëveshja për emigrantët

schedule11:21 - 29 Qershor, 2018

schedule 11:21 - 29 Qershor, 2018

Shtetet anëtare të Bashkimit Europian kanë arritur një marrëveshje të rëndësishme me 12 pika për emigracionin, në një samit maratonë. Vendet e Unionit janë dakordësuar që të ngrihen kampe jashtë BE-së për pritjen e refugjatëve. Gjithashtu parashikohet edhe ndërtimi i kampeve brenda Unionit, por kjo do të beht në mënyrë vullnetare.

Në përfundim të një maratone që zgjati mbi 13 orë, 28 liderët europianë të mbledhur në Bruksel kanë arritur në orët e para të mëngjesit të së premtes një marrëveshje për konkluzionet e Këshillit Europian, përfshirë edhe çështjen e emigrantëve. Njoftimin e dha presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.

“28 liderët e BE-së, shkroi ai ne Twitter, ranë dakord me përfundimet e këshillit mbi emigracionin”.

Marrëveshja parashikon që në të ardhmen, refugjatët e shpëtuar në det vendosen në kampe të mbyllura. Këto kampe parashikohet të ndërtohen në vende të botës së tretë në bashkëpunim me UNCHR, por disa prej tyre mund të ngrihen edhe brenda BE-së. Por nuk është specifikuar, se cilat vende do t’i ngrenë këto kampe të mbyllura dhe ato parashikohen si kampe që ngrihen vullnetarisht. Po ashtu Agjencia e BE për Mbrojtjen e Kufijve Frontex, do të forcohet me personel deri në vitin 2020. BE e kthen në prioritet mbrojtjen e kufijve të saj te jashtëm, duke I bërë një lëshim shumë të madh krahut të populistëve. Shteteve në veriun e Afrikes dhe në Lindjen e Mesme, Bashkimi Europian do t’iu ofrojë ndihmë financiare deri në 500 milionë euro në këmbim të dritës jeshile për ngritjen e qendrave të verifikimit në platformat rajonale ku grumbullohen emigrantët.

“Bashkëpunimi dhe mbështetja ndaj partnerëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor mbeten thelbësore për shkëmbimin e informacionit për flukset migratore, parandalimin e emigracionit illegal, rritjen e kapacitetit të mbrojtjes së kufijve dhe përmirësimi I procedurave të riatdhesimit”, shkruhet në dokumentin e firmosur nga 28 vendet e BE-së.

Marrëveshja  e arritur parashikon ashpërsimin e politikës së azilit, si dhe rishikimin e akordit të Dublinit. Krerët  e unionit ranë gjithashtu dakord për kontrolle të brendshme më të ashpra në mënyrë që azilkërkuesve të mos u lejohet ta zgjedhin vetë vendin ku do të aplikojnë. Kishte shumë dyshime, nëse ky samit do të sillte suksesin e duhur, madje jo gjithçka është arritur, por një kompromis për çështjen e azilit po konsiderohet si sinjal pozitiv se BE është e aftë të bashkëpunojë.

Kancelarja Merkel, qeveria e së cilës u rrezikua shumë nga pamundësia për të arritur këtë pakt, e përshëndeti rezultatin e arritur sot në orët e para të mëngjesit, duke e cilësuar atë si “mesazh të mirë”. Ende kemi shumë punë për të bërë, tha Merkel, por “jam optimiste se pas ditës së sotme, ne mund të vazhdojmë të punojmë sëbashku.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!