Sekuestrohen mbi 294 mijë euro në portin e Durrësit, kapet shoferi, në kërkim pronari i firmës

schedule21:28 - 13 Nëntor, 2020

schedule 21:28 - 13 Nëntor, 2020

294030 euro janë sekuestruar në portin e Durrësit, ndërsa një person është arrestuar në flagrancë, drejtues i një mjeti dhe një tjetër është proceduar në gjendje të lirë, ndërkohë që është shpallur në kërkim një tjetër, pronari i firmës që merrej me transportin e mjeteve.

Por si u zbuluan?

Policia kufitare deklaron se nga kontrollet e shtuara bazuar në analizën e riskut janë kaluar në vijën e dytë për kontroll të imtësishëm 2 mjete tip kamion, të cilët transportonin mjete Itali-Shqipëri, me drejtues F. M. dhe A. L.

Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues F. M. u gjetën të fshehura në pjesë të ndryshme të mjetit një sasi vlere monetare prej 282 265 eurosh. Drejtuesi i kamionit F. M. 29 vjeç, banues në Lezhë u arrestua, për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi”.

Policia kufitare më pas vijoi me kontrollin e automjetit tjetër me drejtues A. L., ku në çantën personale të tij u gjetën dhe sekuestruan një sasi vlere monetare prej 11 765 eurosh. 34 vjeçari me inicialet A.L. banues në Lushnjë u procedua në gjendje të lirë.

Po në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e E. J., 36 vjeç, (pronari i firmës që bënte transportin e mjeteve), për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, pra pastrim parash. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme./ db/Abcnews.al