Belgjika fiton ndeshjen, Anglia fiton shortin më të lehtë

schedule22:26 - 28 Qershor, 2018

schedule 22:26 - 28 Qershor, 2018

Belgjika fitoi ndeshjen, por Anglia fitoi shortin më të lehtë duke shmangur Brazilin në çerekfinalet e Botërorit. Në turneun rus shënon një tjetër lojtar me origjinë shqiptare

Nuk ka Shqipëri dhe as Kosovë, por ka gola shqiptarë.

Adnan Januzaj ishte futbollisti i radhës me origjinë nga kombi ynë që shënoi gol në Botërorin rus.

Mesfushori sulmues i Belgjikës, përfitoi nga roli i titullarit të dhënë nga trajneri Martinez ndaj Anglisë, duke shënuar një rrjetë vërtet të bukur.

Talenti i tij i rëndësishëm, i shkuar dëm për disa kohë, duket se tani i përket një profesionisti të vërtetë.

Më herët, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri e Blerim Xhemaili shënuan për Zvicrën, edhe këta me shtetësi të dyfishtë dhe origjinë shqiptare.

Një kënaqësi për shqiptarët, ndërsa nuk dihet se kush u kënaq më shumë në stadiumin e Kaliningradit, belgët që fituan apo anglezët që humbën.

Belgjika e mbylli grupin me sukses të plotë, 3 fitore në 3 ndeshje, ndërsa shorti në turin e dytë duket më i lehtë sesa ai i Anglisë, Japonia dhe jo Kolumbia.

Gjithsesi, formacioni i shpikësve të futbollit duket se ia arriti qëllimit, pasi shmangu një çerekfinale potenciale ndaj Brazilit, dhe një krahu të shortit ku ndodhen edhe Portugalia, Uruguaj, Argjentina e Franca./abcnews.al