870 naftëtarë do të marrin për një vit një pagë 40 mijë lekë për një vit. Pas arritjes së marrëveshjes me naftëtarët mbrëmjen e sotme, Edi Rama u shpreh se paga e vendosur është e arsyeshme për të kaluar situatën e vështirë ku ndodhen.
“E them me shumë kënaqësi që ç’ka ne kemi vendosur në dispozicion si mbështetje për 870 naftëtarë të rafinerisë është pritur me shumë pozitivitet nga ana e tyre. Natyrisht që në këtë kohë kaq të vështirë ku duhet të kalkulojmë cdo ditë si asnjëherë më parë në eksperiencën time për të qenë largpamës pasi jemi në kushtet e një paparashikueshmërie për shkak të covid-it nuk është e lehtë, por ne jemi të bindur se jemi bërë gjënë duhur. Duke vendosur një pagë 55 mijë lekë bruto dhe 40 mijë lekë neto për 12 muaj që të kenë sigurime të plota dhe ndërkohë garancinë e një page mjaft të arsyeshme duke marrë parasysh edhe situatën e vështirë që kanë kaluar” tha ai.
I pyetur nëse qeveria po negocion me investitorë për t’i afruar, Edi Rama tha se janë tre kompanitë, por nuk dha më shumë detaje. “Me lejoni të shijoj këtë moment kaq pozitiv dhe njerëzor ku kemi qarë hallin si një familje dhe kemi materializuar moton tonë që “askush nuk do të jetë vetëm” dhe gjithçka që është e mundur nga ana jonë do të bëhet.
Nuk i kemi të pakufizuara mundësitë, por ky grup meriton një vëmendje të vecantë pasi është një grup burimesh njerëzore të specializuar në një sektor të rëndësishëm. Nuk jemi dorëzuar për perspektivën e rafinerisë edhe pse kërkon investim të konsiderueshëm. Cdo të bëjmë më pas të ia lëmë të nesërmes, por vazhdojmë procesin i kemi dhënë kohë të mjaftueshme këtyre njerëzve për të marrë frymë lirisht.
Ne jemi në kontakt me tre kompani dhe janë kompani të mëdha të rëndësishme, por koha që jetojmë është problem, që e kemi hasur me disa projekte tonat, sikur po luftojmë në këtë drejtim, po luftojmë edhe për aeroportin e Vlorës.
Kemi një lajm shumë të mirë për veprën e madhe, investimi më i madh i huaj 1.2 miliardë për pjesën më të rëndësishme të korridorit blu nga Miloti në Fier dhe jemi në proces për të realizuar dy projekte të tjera, për të hapur dritën jeshile për portet në Durrës dhe Vlorë dhe aeroportin e Sarandës, do të ishte më e lehtë nëse nuk do të kishte hyrë në mes covidi. Në një kohë të arsyeshme, nuk mund të vë afate, rafineria do të rindizet” tha ai.
Ndërkohë që kreu i Sindikatës, Sokol Dautaj gjithashtu tha se kryeministri Rama u kishte deklaruar se Uzina do të menaxhohet në vazhdim nga një kompani serioze. Qeveria ka vendosur të ndihmojë me 580 milionë lekë 870 naftëtarët e Ballshit, pasi mbyllën grevën disa javore./ db/Abcnews.al