Për herë të parë që prej vitit 1343, Amsterdami ka zgjedhur një grua në krye të bashkisë. Pavarësisht se konsiderohet qyteti i diversitetit, zgjedhja e një femre ishte kthyer në tabu për metropolin holandez dhe ndryshimi është përshëndetur.
Qyteti i Amstërdamit ka zgjedhur për herë të parë në historinë e tij një grua në krye të bashkisë,. Ndërsa shumë qytete të Holandës e kanë patur një grua në krye të pushtetit vendor, kryeqyteti dhe Rotërdami kanë qenë të vetmit që kanë bërë përjashtim. Femke Halsema, ish-kryetare e një partie politike të majtë, është shprehur e lumtur, krenare dhe e përulur për përzgjedhjen e saj. Amstërdami e ka patur kryetarin e parë të bashkisë në vitin 1343. Zgjedhja e zonjës Halsema, 52 vjeçe, nga këshilli i majtë bashkiak duhet tani të ratifikohet nga qeveria dhe të firmoset nga mbreti, akte të cilat janë më tepër një formalitet i thjeshtë. Halsema u tërhoq nga politika në vitin 2011 dhe në detyrën e re pason Eberhard van der Laan, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar. Emërimi i saj erdhi disa muaj pasi një grup prej 45 grash firmosën një peticion për zgjedhjen e një femre në këtë detyrë. “Për një kryeqytet që e konsideron veten të emancipuar, progresist, me shumëllojshmëri dhe neutral ndaj gjinisë, refuzimi për të zgjedhur një femër po kthehet në turp”, thuhej në peticion. Sidoqoftë, zgjedhja e Femke Halsema nuk është mirëpritur nga të gjithë. Kritikët thonë se ajo nuk ka eksperiencë të mjaftueshme administrative dhe 7.400 persona kanë firmosur një peticion kundër saj. /abcnews.al