Një ditë pasi Këshilli i ministrave ka miratuar projektligjin për Teatrin Kombëtar, mazhoranca në parlament e ka votuar me 74 vota pro. Opozita e ka kundërshtuar.
Bashkëpunimi midis qeverisë vendore dhe asaj qendrore e tregoi edhe një herë se është i frytshëm. Pas angazhimit të vrullshëm të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj u arrit një kompromis me artistët. Një ditë më pas hidhet në letër e miratohet.
Ky është projekt ligji për Teatrin Kombëtar që kaloi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të së mërkurës. Me procedurë të përshpejtuar Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruci kërkoi futjen në kalendarin e punimve të parlamentit.
Opozita e kundërshton pasi nuk mund të votojë për një projektligj që sapo është duke u shpërndarë. Kryetari i Partisë Demokratike u bëri thirrje të tërhiqen sa nuk është vonë.
Thirrjen ia drejtojnë edhe atyre socialistëve që besojnë se mund t’i dëgjojnë. Përgjigja që mori opozita ishte nëpërmjet kartonave jeshilë të mazhorancës.
Me 74 vota pro dhe 46 kundër miratohet projektiligji për tatrin Kombëtar i cili ka për qëllim qëllim realizimin e projektit për zhvillimin e një zone urbane në qytetin e Tiranës dhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar me partner privat.
Sipërfaqja që përbën pronën e Teatrit Kombëtar do të jetë po ajo edhe pas përfundimit të ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar.
Do të ngrihet një komision i negociimit në përbërje të të cilit do të jenë përfaqësues nga 4 ministri dhe Avokatura e Shtetit si dhe 2 përfaqësues të zgjedhur nga aktorët.
Kjo është e reflektuar në pikë 3 të nenit 5 që përcakton përbërjen e komisionit të negocimit.
Sipas Këshillit të Ministrave, ky projektligj reflekton opinionet e diskutimet e vazhdueshme me komunitetin e artistëve, arkitektëve, opinionet e qytetarëve të lirë gjatë konsultimeve me përfaqësues të Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Kulturës.
Komisioni i negociimit të kontratës vlerëson dhe negocion me partnerin privat, shoqërinë “Fusha”, sh.p.k., propozimin e paraqitur prej tyre dhe harton projekt-kontratën finale të negociuar nga palët, shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave, brenda një afati kohor prej 30 ditësh, nga data e krijimit të komisionit./abcnews.al