Në përgjigje ndaj tërheqjes së Amerikës nga marrëveshja bërthamore, Irani ka riaktivizuar një impiant për pasurimin e uraniumit. Ndërkohë, presidenti Rouhani u ka bërë thirrje liderëve europianë se koha për shpëëtimin e paktit të vitit 2015 po mbaron.
Irani ka rihapur një impiant bërthamor që kishte ndërprerë punën 9 vjet më parë, një lëvizje kjo që konfirmon prirjen e Teheranit për të rritur procesin e pasurimit të uraniumit, pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja e vitit 2015. Vendet europiane që ishin pjesë e paktit po përpiqen ta shpëtojnë atë, pasi e konsiderojnë një element kyç për të frenuar aktivitetin bërthamor të Republikës Islamike. Por më herët gjatë muajit, ajatollahu Ali Khamenei urdhëroi agjencinë iraniane për energjinë atomike që të avanconte kapacitetet e pasurimit të uraniumit, për të qenë gati nëse europianët dështojnë në përpjekjen e tyre. Agjencia ka deklaruar të mërkurën se impianti i pajisur me centrifuga është hapur dhe se makineritë kanë nisur nga puna pas furnizimit me “kek të verdhë”. Minerali i uraniumit, i njohur ndryshe si “keku i verdhë”, konvertohet në gazin EKSAFLUORUR, i identifikuar me formulën UF6, përpara se të nisë pasurimin. Sidoqoftë, lëvizja e Teheranit është më tepër simbolike, pasi i lejon vendit islamik të pasurojë uranium në 3.67 për qind, shumë më poshtë se 90 për qind që duhet për armët bërthamore. Më herët, presidenti Hassarn Rouhani u shkroi homologëve në Francë, Gjermani dhe Britani, për t’i paralajmëruar se koha për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore po mbaron. /abcnews.al