Në një nga plazhet më të bukuara për nga natyra, por i rrezikshëm për pushuesit për shkak të rrymave ujore, në Portonovë të Vlorës nuk ka asnjë masë sigurie. ABC News shkoi për të parë nëse Bashkia ka vendosur ndonjë roje bregdetare apo ndonjë tabelë sinjalizuese.
Kjo tabelë e shtrembur e bashkisë të njofton për zonen e rrezikut. Por nuk e ka penguar çiftin anglez të mbërrijë këtu.
Nuk kanë dijeni për mbytjet e pushuesve në vitin e kaluar, megjithatë duket se e njohin mirë detin. Thonë se nga ajo çfarë shohin, ky nuk është vend për të notuar, por për sërf.
Natyra e veçantë në Portonovë ka joshur gjatë sezoneve shumë pushues. Aventurierë apo njohës të sporteve ujore ia kanë dalë dhe janë kënaqur. Por ka patur prej atyre pushuesve që nuk janë përballur dot me dallgët e forta të detit.
Pesë jetë të humbura u regjistruan vetëm vitin e kaluar. Portonova ndodhet në plazhin e Zvërnecit. Aty ka rryma ujore. Uji godet në shkëmb dhe kthimi është i menjëhershëm.
Në kohëra të ndryshme banorët kanë regjistruar shumë mbytje. Por edhe pse çdo vit ka viktima nga institucionet nuk është marrë asnjë masë. Nuk ka kulla vrojtimi e as roje bregdetare. Kurse përgjatë rrugës që të çon aty nuk gjen asnjë tabelë sinjalizuese./abcnews.al