Kryeministri Edi Rama pas takimit me naftëtaret u shpreh se çështja pagave të prapambetura nuk është çështje e qeverisë, por e kompanisë.
Rama theksoi se në këtë takim naftëtarëve iu propozua një mbështetje financiare nga qeveria.
“Patëm një takim të drejtpërdrejtë. Ndjehem mirë që u krijuan këto kushte. Kemi ardhur me idenë për qarjen e hallit, por sigurisht me detyrimin ta qajmë së bashku me këta njerëz. Duke pasur parasysh se janë gjithë ato familje. Në kushtet e sistemit që kemi zgjedhur, çështja e këtyre sot është një çështje që na takon ne që ta adresojmë së bashku me ta. Ne nuk jemi dorëzuar lidhur me të ardhmen e kësaj rafinerie.
Rruga e thjeshtë ligjore do të ishte që të drejtoheshin në zyrën e punës për të marrë asistencën, por në këtë rast bëhet fjalë për një grup njerëzish që kanë një eksperiencë dhe një formim profesional në një fushë që ne nuk kemi luksin ta zhbëjmë dhe për këtë arsye në kemi propozuar që qeveria të marrë përsipër një mbështetje financiare në kohë për të gjithë këta punëtorë. Nuk mund të jetë paga e punës së tyre sepse rafineria është e fikur, por natyrisht nuk flasim për pagën e asistencës. Ne nuk merremi me pagën e prapambetur, është një çështje që ka të bëjë me marrëdhënien e tyre me kompaninë.
Greva nuk është opsion pavarësisht se është e drejta e tyre. Por në kushte grevash nuk negociojmë. Nuk janë një grup i zakonshëm punëtorësh dhe ne nuk duam t’i humbasim për sa kohë që nuk mendojmë se rafineria është një kauzë e humbur.
Biseda sot ishte për tu marrë vesh në parim, për të ndarë kohët. Folëm për raportet me kompanitë, investitorë. Por ky është një hall që nuk e zgjidhim ne dhe nuk na takon ne. Koha nga sot e mbrapa është një kohë ku jemi të gatshëm t’i japim atyre njerëzve një mbështetje financiare”, tha Rama.
/abcnews.al/