Sulmuesi i PSV-së, Mario Gotze, mund të rikthehet sërish në kombëtaren gjermane. Ka qenë vetë tekniku Joachim Low, që ka konfirmuar lajmin që ka entuziazmuar shumë tifozë. 28-vjeçari duket sikur ka rilindur në Holandë dhe falë paraqitjeve të mira që ka bërë, ai mund të fitojë sërish një vend te Gjermania.
“Kam qenë në kontakt me Marion javët e fundit dhe ai më ka mbajtur të informuar mbi situatën e tij. Duket se është shumë në formë dhe i freskët, kjo është mëse e dukshme. Do ta kemi gjithmonë vëmendjen tek Goetze, kjo është e sigurt”, deklaroi gjermani.
“Sipas këndvështrimit tim ai ka bërë zgjedhjen e duhur që u largua nga Dortmundi. I duhej një aventurë e re larg Bundesligës. Jam shumë i lumtur për të që e ka nisur kaq mirë sezonin me Eindhovenin. Kjo ishte e papritur”, përfundon Low. Kujtojmë që heroi i Gjermanisë në Botërorin e 2014 ka luajtur deri më tani gjashtë ndeshje me PSV-në, ku ka shënuar dhe tre gola. /abcnews.al