Javë për t’u harruar për Milanin. Pasi pësuan humbjen e parë prej muajit mars të enjten në mbrëmje ndaj Lille në Europa League (francezët fituan 0-3 në “San Siro”), kuqezinjtë e Stefano Piolit u frenuan në një barazim 2-2 në shtëpi kundër Hellas Verona në kampionat.
Për mënyrën se si shkoi loja, më shumë ishte një pikë e fituar sesa dy të humbura për kryesuesit e kampionatit italian. Goli i parë i ndeshjes erdhi që në minutën e gjashtë. Ceccherini goditi traversën me kokë dhe Antonin Barak, mbrojtësi tjetër i Hellas Verona, përfitoi dhe dërgoi topin në rrjetë.
13 minuta më vonë erdhi edhe dyfishimi për djemtë e Ivan Juric. Një goditje drejt portës së Donnarummës u devijua nga Calabria dhe topi në rrjetë. Milani nisi të reagojë dhe ia doli të shkurtojë rezultatin në minutën e 27-të.
Sërish autogol, Giangiacomo Magnani iu përplas në trup një tp i devijuar nga Kessie dhe ndeshja u rihap. Kaq për pjesën e parë, teksa kuqezinjtë dominuan fraksionin e dytë të lojës. Hakan Calhanoglu gjeti golin, por turku ishte në pozicion të parregullt dhe ai u anulua.
Shansi më i mirë për të barazuar takimin erdhi në mesin e pjesës së dytë, Penallti për Milanin por Zlatan Ibrahimovic e nxori topin jashtë stadiumit. Ekipi i Piolit nuk u ndal dhe tentoi deri në fund të evitonte humbjen.
Insistimi i vendasve u shpërblye në minutat shtesë. Mbrojtësi Calabria gjeti golin e barazimit në të 90′, por rrjeta e mbrojtësit u anulua për prekje të topit me dorë nga Zlatan Ibrahimovic.
Gjithsesi, bomberi suedez ia doli të linte shenjën e tij tre minuta më vonë. Kros i Brahim Diaz dhe gol me kokë i 39-vjeçarit, i cili evitoi disfatën e kuqezinjve, që mbeten në vend të parë me 17 pikë. /abcnews.al
Serie A, java e shtatë
Milan-Hellas Verona 2-2
(Magnani (aut) 27′, Ibrahimovic 90+3′ / Barak 6′, Calabria (aut) 19′)