Tifozët e Milanit e mbajnë mend mirë gjyqtarin Paolo Tagliavento. Ishte ai që në përballjen mes kuqezinjve dhe Juventusit në 25 shkurt 2012 nuk i akordoi golin Sulley Muntarit. Ai gol mund të ishte vendimtar për titullin në atë sezon, të cilën më pas e fituan bardhezinjtë. Edhe sot e kësaj ditë në intervistat e tij sërish përmendet ai moment, të cilin Tagliavento tashmë e kupton më së miri.
“Unë jam absolutisht pro teknologjisë në fushë. Gjatë fazës së eksperimentimit unë isha shumë skeptik rreth saj së bashku me kolegët e mi, por më pas e kuptuam rëndësinë e saj. Mjaftuan vetëm 45 minuta në përballjen mes Interit e Fiorentinës për të kuptuar se çfarë kishte munguar më parë”, deklaron trajneri aktual i Ternanës për “Avvenire”.
“Nëse do të kisha përfituar nga ajo më parë, jam i sigurt se VAR do të kishte shmangur disa nga gabimet më të mëdha të karrierës sime. Goli që nuk iu akordua Muntarit, topi i Buffon që kaloi vijën fatale apo dhe goli në pozicion jashtë loje i Matip në duelin mes Schalkes dhe Baselit në Champions League.
Sot e kuptoj më mirë reagimin e lojtarëve kur ata protestojnë në lidhje me gjykimin. Ende nuk arrij ta kuptoj se përse në vitin 2020 gjyqtarët nuk mund të diskutojnë apo të justifikojnë veprimet e tyre në fundin e ndeshjes. Do të ishte e dobishme mendoj, të paktën për të ulur tensionet e krijuara”, përfundon Tagliavento. /abcnews.al