Lëvizja tjetër e Donald Trump: Hakmarrja kundër Xho Bajdenit

schedule09:53 - 7 Nëntor, 2020

schedule 09:53 - 7 Nëntor, 2020

Nga Jacob Heilbrunn, National Interest

Bret Bajer i “Fox News”, thotë që “ne nuk kemi parë prova të forta” të manipulimit të votave. Karl Rov vëren se “vjedhja e qindra mijëra votave, do të kërkonte një komplot në përmasat e një filmi të Xhejms Bond, dhe diçka e tillë nuk ka ndodhur”.

Por kjo nuk e ka penguar presidentin Donald Trump të vijojë që të këmbëngulë se manipulimi është një dukuri shumë e përhapur në këto zgjedhje. Gjatë daljes për mediat të enjten në mbrëmje, Trump dukej si i zhgënjyer dhe i nënshtruar.

Ai nuk shpjegoi dot se çfarë motivimi do të kishin pasur zyrtarët shtetërorë republikanë në Xhorxhia për të ndryshuar votimin në favor të Xho Bajdenit. Ai nuk shpjegoi se përse po e përjashtonte Arizonën nga thirrja e tij për të ndalur numërimin e votave.

Ai nuk shpjegoi as se përse Senati Republikan dhe kandidatët për Kongresin dolën aq mirë kur procesi sipas tij ishte e manipuluar. Përshtypja që ai la ishte se në shtetet ku ai paraqitej mirë, gjithçka ishte në rregull dhe mund të vazhdonte numërimi.

Ndërkohë në shtetet ku po humb, numërimi duhet të marrë fund. Pra me pak fjalë, presidenti nuk paraqiti ndonjë provë aktuale të një procesi të manipuluar, përveçse të sugjeronte që vetë veprimi i një votimi përmes postës, përbën me gjasë një akt manipulimi.

Nëse është kështu, një ndër fajtorët është edhe im atë 87-vjeçar, që nuk donte të qëndronte në radhë për shkak të pandemisë, dhe e postoi fletën e tij të votimit në Pensilvani në një zarf të mbyllur disa javë më parë.

Por Trump ndoshta e ka kuptuar tashmë se i ka humbur zgjedhjet, edhe nëse nuk dëshiron që t’a pranojë këtë publikisht. Ai duhet të mendojë për dy gjëra:si t`ia “nxijë jetën”pasardhësit të tij Xho Bajden, dhe si të menaxhojë karrierën e tij post-presidenciale.

Duket të jetë më se e qartë se Trump do të deklarojë se ai do të garojë sërish në zgjedhjet e vitit 2024, pavarësisht nëse e ka vërtet ndërmend apo jo, dhe do të tentojë të jetë si një lloj monarku në mërgim në Mar-a-Lago.

Trump do të humbasë vëmendjen që i garantonte presidenca, por ai mund të vazhdojë të mbajë tubime për ndjekësit e tij. Ligjvënësit republikanë, sidomos ata që po shohin mundësinë e kandidimit të tyre pas 4 viteve – Marko Rubio, Ted Kruz, Niki Halej, ndër të tjerët – do të synojnë që ta kritikojnë atë.

Nëse do të mundet të zvarrisë me sukses procedurat gjyqësore kundër tij, apo edhe të fitojë ndaj tyre, Trump do të funksionojë si një ndërmjetës me peshë i pushtetit në Partinë Republikane. Fakt është se Bajden nuk po fiton me një rezultat shumë të thellë.

Më së paku, Partia Republikane, që në këto zgjedhjet mori jo pak nga votat e pakicave që më herët kanë votuar tradicionalisht demokratët, mund të jetë e mirë-pozicionuar për zgjedhjet e ardhshme. Ndërkaq, demokratët jo.

Bajden si president, do të trashëgojë problemet që ka lënë pas Trump:një pandemi, një deficit buxhetor të madh, dhe një ekonomi me luhatje të forta. Republikanët e Senatit, të udhëhequr nga udhëheqësi i shumicës Miç Mekonell, nuk do të jenë në gjendje që të bëjnë kompromise me të.

Dhe as një Gjykatë e Lartë e dominuar nga konservatorët. Presidenca e Bajden mund të jetë më e karakterizuar nga ajo që nuk do të ndodhë, sesa nga ajo që do të ndodhë. Nuk do të ketë një Marrëveshje të re të Gjelbër. Nuk do të ketë një plan masiv për rindërtimin e infrastrukturës.

Nuk do të ketë rritje taksash. As ri-formatim të Gjykatës Supreme, dhe as reformë në gjyqësorin federal. Dhe kështu me radhë. Tani për tani, Trump do të fokusohet thuajse me siguri në bindjen e sa më shumë prej të emëruarve të tij në shërbimin civil, që të refuzojnë bashkëpunimin, për aq sa është e mundur, me ekipin e Bajdenit në fazën e tranzicionit të pushtetit.

Ai mund të tentojë ta shtyjë rezultatin e zgjedhjeve me një seri procesesh gjyqësore. Por pasi të ketë pranuar humbjen, Trump do të rikthehet te qëllimi i tij i vërtetë:të përgatisë hakmarrjen e tij kundër Xho Bajdenit. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!