Shqipëria po bëhet gati për ndeshjet me Kosovën, Kazakistanin dhe Bjellorusinë, ndërkohë që pritet që trajnerit Edy Reja të dalë para mediave nesër dhe të shpallë listën. Sigurisht edhe këtë herë nuk do të mungojnë problemet, për shkak të dëmtimeve apo të vendimeve të klubeve për të mos lejuar lojtarë të ndryshëm t’i bashkohen kombëtares.
FIFA ua ka dhënë mundësinë klubeve dhe mbetet të shihet se cilët lojtarë do të mungojnë. Vecc kësaj Reja duhet të përballet edhe me problemet e dëmtimeve, teksa Kastriot Dermaku, Enea Mihaj dhe Jon Mersinaj nuk janë gati për lojë.
Momentalisht konfirmohet prania e Albi Dokës në grumbullim, pasi vetë klubi i HNK Gorica ka dalë me njoftim që prej datës 2 nëntor. Në Itali zbulojnë se do të rikthehet në grumbullim edhe Ardian Ismajli, i cili së fundmi edhe debutoi në Serie A me fanellën e Spezia.
Surpriza e trajnerit Edy Reja në këtë grumbullim mund të jetë mbrojtësi i majtë, Marsel Ismajgeci. I riu është pjesë e rëndësishme e Shqipërisë U21, dhe këtë herë përflitet se mund të veshë fanellën e kombëtares së madhe.
Mbetet të shihet nëse ndonjë prej lojtarëve të lënë jashtë në grumbullimin e fundit do të rikthehet në kombëtare. Odise Roshi nuk mund të jetë për shkak dëmtimi, sikurse edhe Keidi Bare, ndërkohë që sytë janë nga kapiteni Hysaj dhe sulmuesit Balaj, Sadiku e Cikalleshi. /abcnews.al