Qytetarët britanikë që votuan pro Brexit në referendumin e vitit 2016 kanë protestuar kundër qeverisë së Theresa May se po zgjat tej mase procesin e daljes nga Bashkimi Europian.
Qytetarë të shumtë britanikë kanë protestuar të shtunën në rrugët e Londrës për të kërkuar votimin e marrëveshjes që i lejon Britanisë daljen nga BE-ja. Sipas BBC, protestuesit kanë deklaruar se kanë humbur durimin me procesin e tejzgjatur dhe kërkojnë votimin, cilado qoftë ujdija që Mbretëria e Bashkuar arrin me Unionin.
Mijëra njerëz janë mbledhur përpara selisë së Parlamentit, në një kohë kur kanë kaluar dy vjet nga referendumi popullor që vendosi braktisjen e Unionit. Organizatorët, mes të cilëve lëvizja “Vota e Popullit”, kanë deklaruar se Brexit nuk kërkon një marrëveshje sipas humorit të politikës dhe për këtë qytetarët duhet të ngrenë zërin e tyre.
Manifestimi vjen në një kohë kur anëtarë të kabinetit qeveritar, mes të cilëve Liam Fox dhe David Davis, insistojnë se Mbretëria e Bashkuar është gati të braktisë bisedimet me Brukselin edhe pa një marrëveshje. Tubimi është pjesë e fushatës së quajtur “Aksioni Veror”, që ka si qëllim rritjen e presionit mbi kryeministren Theresa May dhe liderin e opozitës Jeremy Corbyn.
Ndërkohë, disa qindra persona të tjerë janë bashkuar në një anti-protestë po në Londër, të udhëhequr nga një veteran i Luftës së Dytë Botërore e që mbështesin qëndrimin në BE./abcnews.al