Pandemia e koronavirusit, është shumë negative për biznesin. Bllokimet lokale, kufizimet e tubimeve sociale dhe ndërprerja e udhëtimeve, e kanë ngadalësuar ndjeshëm aktivitetin ekonomik, kanë ndërprerë zinxhirët e furnizimit, dhe i ka detyruar kompanitë të punojnë ose të pushojnë nga puna punëtorët.
Deri më tani, injeksionet me para të gatshme në ekonomi nga ana e qeverive, kanë mbajtur në këmbë shumë sektorë. Por me bllokime dhe kufizimet e mëtejshme, perspektiva ekonomike në Evropë po duket e tmerrshme.
Sa keq ka të ngjarë të shkojnë punët, dhe çfarë mund të bëhet për të minimizuar dëmin? “Politico”ka pyetur disa ekspertë, se çfarë mund të bëjnë qeveritë për të zbutur pasojat ekonomike nga virusi.
Mariana Maxukato, profesoreshë në University College London:Duhet një kapitalizëm ndryshe
Ajo që ndodhi pas krizës financiare të vitit 2008,s’duhet të ndodhë më. Në atë kohë, qeveritë injektuan më shumë se 3 trilionë dollarë në sistemin financiar, por nuk arritën ta orientonin atë likuiditet drejt investimeve më të mira.
Për pasojë, shumica e parave përfunduan në sektorin financiar, në vend se të mbështesin ekonominë reale, dhe taksapaguesit mbetën në të njëjtën situatë të vështirë ekonomike.
Tani, në përgjigje ndaj pandemisë së Covid-19, qeveritë kanë “përmbytur” sërish tregun me para të gatshme.
Por kësaj here ato duhet të hedhin bazat për një rimëkëmbje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të ekonomisë. Disa qeveri po e strukturojnë ndihmën e tyre për të siguruar një marrëdhënie simbiotike me sektorin privat.
Për shembull, qeveria franceze e ka kushtëzuar ndihmës për sektorin e prodhimit të makinave dhe linjave ajrore me uljen e emetimeve të karbonit në atmosferë, ndërsa qeveria daneze ka refuzuar të shpëtojë bizneset që kanë fshehur para në parajsat fiskale.
Këto janë hapat e parë të mirë. Por ne duhet t’i shtojmë ambiciet tona, duke e shfrytëzuar rimëkëmbjen për ta praktikuar ndryshe kapitalizmin. Qeveritë duhet të vendosin kushte të zgjuara në mënyrë që paketat e shpëtimit të mbrojnë realisht interesat publike, si për shembull, t’u kërkohet kompanive t’i mbajnë punëtorët në punë.
Ndërkohë, kemi nevojë për investime më ambicioze në sistemet shëndetësore dhe kapacitetet e sektorit publik. Nëse nuk rregullojmë problemet që e kanë destabilizuar ekonominë për dekada, do të vazhdojmë të kalojmë nga kriza në krizë. Koha për ndryshim është tani.
Migel Otero-Iglezias, analist në Institutin Mbretëror Elkano në Madrid:Të ripërtërihet kontrata sociale e Evropës
Efektet ekonomike të betejës së Evropës kundër koronavirusit, janë ato të një lufte klasike: Liritë tona janë reduktuar, udhëtimet po ashtu, frika është e shumë përhapur, dhe konsumi dhe investimet kanë pësuar rënie të madhe. Ne nuk kemi luksin qëta trajtojmë këtë situatë si çdo recesion tjetër makroekonomik.
Ne jemi në një luftë, e cila nuk e dimë nëse do të zgjasë 1, 2 apo më shumë vjet.
Ne e dimë kur fillojnë luftërat, por jo kur mbarojnë ato. Me kalimin e muajve, janë mbyllur shumë biznese, ndërsa është rritur papunësia. Evropa duhet të marrë urgjentisht masa.
Së pari, të qëndrojë e bashkuar. Ne e dimë se vendet që bashkëpunojnë me njëra-tjetrën performojnë më së miri në planin afatgjatë. Së dyti, qeveritë duhet të shqetësohen më së pari të fitojnë luftën kundër virusit, dhe atë të rritjes së borxhit kombëtar.
Ato duhet të hartojnë një përgjigje të përshtatshme shëndetësore duke pasur një vëmendje madhore tek spitalet; teksa duhet të investojnë në testimet, gjurmimin dhe izolimin e kapaciteteve; dhe garantimin e likuiditetit për punëtorët dhe kompanitë. Për këtë të fundit duhet të bashkëpunojnë edhe bankat.
Së treti, kjo krizë duhet përdorur për ta bërë secilin nga vendet e Evropë më rezistente ndaj krizave por edhe të drejtë. Së fundmi, duhet një plan afatmesëm për uljen e borxhit publik përmes një nivelit më të lartë të rritjes ekonomike, pak më shumë inflacion dhe një rritje të taksave për ata që fitojnë më shumë. Pra, Evropës i duhet një kontratë e re sociale e pasluftës.
RebekaKristi, bashkëpunëtore në think-tankun e njohur ekonomik“Bruege”:Të hiqet dorë nga masat financiare shtërnguese
Covid-19 është një vrasës global. Duhet të hiqet dorë nga masat financiare shtërnguese.Për sa kohë që qeveritë janë të gatshme të gjejnë para për të mbështetur ekonomitë e tyre, Evropa ka shansin të amortizojë dëmet ekonomike, në një kohë që në qendër të vëmendjes është emergjenca shëndetësore.
Por nëse në plan të parë rikthehet frika e vjetër ndaj inflacionin dhe të këqijave që sjell një borxh i lartë publik, BE rrezikon të dëmtojë rëndë veten. Ne e dimë që virusi nuk i respekton kufijtë. Do të ishte për të ardhur keq nëse politikanët do ta përdornin votën e tyre për të kërkuar masat shtërnguese për qytetarët e vendeve të tjera të unionit, në vend se të krijojnë kushte në të cilat mund të përparojnë të gjithë.
Tregjet globale kanë treguar se janë të gatshme të investojnë tek borxhe evropiane me cilësi të lartë. Ndërkohë, inflacioni ka rënë aq shumë, dhe sa më shumë që ndodh kjo aq më e mirë është për ekonominë. Deri tani Banka Qendrore Evropiane, ka qenë në gjendje të qëndrojë e vendosur në angazhimin e saj për të mbështetur ekonomitë e BE, dhe për të rritur sërish inflacionin në nivelin e synuar.
Politikanët duhet që ta mbështesin këtë përpjekje, dhe të ndjekin në mënyrë të pavarur politikat fiskale që shërbejnë si një plotësues i asaj që mund të ofrojë politika monetare. Racizmi dhe ksenofobia, janë përshpejtuesit e tjerë të mëdhenj të krizës, për të cilat duhet shqetësuar.
Votuesit në botën e zhvilluar kanë një histori zhgënjyese të kufizimit të mirëqenies sociale kur shkaktohen frika e tyre nativiste. Politikë-bërësit që duan një popullatë dhe ekonomi të shëndetshme duhet të sigurohen se po krijojnë kushtet e duhura për shëndetin e të gjithë qytetarëve të tyre, dhe jo vetëm të atyre të bardhë.
*Marrë me shkurtime

