Roma mori fitoren e dytë në Europa League. Verdhekuqtë fituan 5-0 në “Olimpico” përballë Cluj dhe kryesojnë grupin A me 7 pikë pas tre takimeve të para. Marash Kumbulla u rikthye titullar tek ekipi kryeqytetas dhe e zhvilloi të plotë përballjen e sotme, duke shfaqur cilësi dhe siguri në prapavijë. Armeni Mkhitaryan, mbrojtësi Ibanez dhe sulmuesi Mayoral i dhuruan avantazhin e trefishtë ekipit të Fonsecas në fraksionin e parë të ndeshjes.
Në 45 minutat e dyta, Mayoral gjeti golin e dytë personal, teksa spanjolli tjetër, Pedro, vulosi triumfin me “manita” të Romës. Feston edhe Tottenhami i Jose Mourinhos. Ekipi anglez triumfoi 1-3 në fushën e Ludugorets.
Harry Kane dhe braziliani Lucas Moura gjetën rrugën e rrjetës në pjesën e parë. Rumuni Keseru rihapi takimin në minutat e para të fraksionit të dytë, por Lo Celso shuajti shpresat e bullgarëve me golin e realizuar pas një ore lojë. Tre pikë të rëndësishme për “Gjelat”, që numërojnë 6 pikë në grupin J, po aq sa kanë edhe belgët e Antwerp.
GRUPI F – Gara do të jetë e nxehtë deri në fund në këtë grup, pasi Napoli, AZ Alkmaar dhe Real Sociedad numërojnë nga 6 pikë pas tre ndeshjeve të para. Italianët e drejtuar nga Gennaro Gattuso ia kanë dalë të marrin pikët e plota në transfertë kundër Rijeka.
Napoli ia doli me rezultatin 1-2, madje me përmbysje. Muris, që në minutën e 13-të, realizoi një gol mjaft të bukur për kroatët e Rijeka. Në fund të pjesës së parë Demme mori një pasim nga Mertens dhe shënoi golin e barazimit, kurse fatet e ndeshjes i vendosi një autogol. Braut ishte i pafat, teksa pa një top t’i përplasej në këmbë dhe të ndalej më pas në rrjetë.
⏰ EARLY RESULTS ⏰
Best performance? ?#UEL
— UEFA Europa League (@EuropaLeague) November 5, 2020
Fitore edhe për Real Sociedad, që mposhti një rival direkt si AZ Alkmaar. Pas humbjes kundër Napolit, spanjollët e kishin detyrim fitoren dhe nuk e kishin të lehtë sonte. Portu ishte heroi i baskëve, me një gol të shënuar pas një aksioni me shumë pasime kur po bëheshin gati një orë lojë. Sociedad po e kërkonte me ngulm golin gjatë gjithë kohës dhe rastet i pati të shumta, por deri në fund shënoi veç një gol. Gjithsesi mjaftueshëm për të realizuar objektivin dhe për të marrë tre pikët, që ishin të domosdoshme në përballjen e sotme. /abncews.al