Joe Biden thyen rekordin historik të Barack Obama-s

schedule15:51 - 5 Nëntor, 2020

schedule 15:51 - 5 Nëntor, 2020

Ish zëvendëspresidenti dhe aktualisht kandidati për presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thyer rekordin për numrin më të madh të votave të grumbulluara nga kandidatët presidencialë në historinë e SHBA-së.

Në vitin 2008, kur mundi John McCain, Barack Obama grumbulloi 69,498,516 vota, sipas Komisionit Federal të Zgjedhjeve. Kur Trump humbi votën e popullit, por fitoi Kolegjin Elektoral katër vite më parë, ai grumbulloi 62,984,828 vota ose 46.09%.

Ish-kandidatja demokrate Hillary Clinton, grumbulloi 65,853,514 vota ose 48,18%, por humbi garën në Kolegjin Elektoral (janë të nevojshme minimumi 270 vota të Kolegjit Elektoral që një kandidat të shpallet president).

Aktualisht, Joe Biden numëron më shumë se 72 milionë vota, por kjo nuk përkthehet në fitore. Trump gjithashtu ka gjasa të thyejë rekordin e Barack Obama-s për shkak të pjesëmarrjes më të lartë të votuesve në këto zgjedhje të rëndësishme në historinë e SHBA-së.

Rezultatet vijnë gjithashtu midis pjesëmarrjes rekord të votuesve këtë vit, sipas vlerësimeve paraprake nga Projekti i Zgjedhjeve të Shteteve të Bashkuara. Michael McDonald, një profesor i shkencave politike në Universitetin e Florida vlerëson se rreth 160 milion amerikanë me të drejtë vote kanë votuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, me një pjesëmarrje që nuk është parë në 120 vite. Rekordi i mëparshëm për votuesit e përgjithshëm ishte rreth 139 milion,  në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. s.ba/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!