Javën e ardhshme kombëtarja grumbullohet për të luajtur tre ndeshjet e nëntorit. Është planifikuar një sfidë vëllazërore me Kosovën dhe dy ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Kazakistanit dhe Bjellorusisë.
Në grumbullimin e nëntorit pritet të ketë sërish probleme me mungesat për trajnerin Reja. Pika e dobët pritet të jenë krahët. Lorenc Trashi që nga ndeshjet e tetorit me kombëtaren tonë nuk ka luajtur asnjë ndeshje dhe ende nuk ka debutuar me ekipin e tij të ri, Al Qadsia.
Ish-kapiteni i Partizanit ka qenë në karantinë gjatë ditëve të fundit dhe mbetet të shihet nëse klubi do e lejojë të grumbullohet. Lajme të mira vijnë nga Lenjani. Ai luajti titullar me Grasshoper gjatë tetorit dhe pritet të mbajë peshë në grumbullimin e ardhshëm.
Memolla ka luajtur tre ndeshje gjatë tetorit në Hungari dhe e fundit regjistrohet në 25 tetor, para 11 ditësh. Në ndeshjen e fundit të DVTK, Memolla nuk ishte pjesë e skuadrës.
Ndërkohë zërat e fundit flasin për grumbullimin e Marsel Ismajlgecit në kombëtaren e madhe për herë të parë. Nëse mungon Trashi, prania e mbrojtësit të Tiranës është e sigurt, megjithëse në rast të kundërt pritet që i riu të jetë në listë.
Me shumë mundësi Ismajlgeci do të debutojë ndaj Kosovës. Për momentin do duhet të presim nëse gjithçka konfirmohet, teksa edhe Marku i Laçit në grumbullimin e tetorit ishte thirrur, por dëmtimi ndaj Happoel Beer Sheva e ndaloi t’i bashkohej kombëtares. /abcnews.al