Biden përballë Trump, epërsi që zor se përmbyset: 264 me 214

schedule11:45 - 5 Nëntor, 2020

schedule 11:45 - 5 Nëntor, 2020

Ndërsa procesi i numërimit të votave në shtetet kyçe vijon, kandidati demokrat në SHBA, Joe Biden tashmë është shumë më afër fitores krahasuar me kundërshtarin Donald Trump.

Sipas të dhënave të publikuara në “The Guardian”, kandidati demokrat, Joe Biden, deri më tani ka siguruar 264 vota për Kolegjit Zgjedhor, ndërsa Donald Trump vetëm 214.

Për t’u zgjedhur president, kandidati duhet të ketë 270 vota.

Përkthyer në numra, Joe Biden deri më tani ka marrë mbi 72 milionë e 110 mijë vota në nivel kombëtar, ndërsa presidenti Trump, ka mbi 68 milionë e 643 mijë apo rreth 3 milionë e 467 mijë vota më pak.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave të grumbulluara nga agjencia “Associated Press”, Biden duhet të fitojë edhe vetëm një shtet për ta siguruar pragun e nevojshëm prej 270 votash elektrorale.

Ndërkohë ende nuk dihet qartë fituesi në Georgia, Karolinën e Veriut, Pensilvani, Nevada dhe Alaskë.

Biden ka epërsi të ngushtë në Nevada dhe Demokratët besojnë që kandidati i tyre mund ta përmbysë epërsinë e Trump në Georgia ose Pensilvani.

Megjithatë, siç duket, pavarësisht epërsisë së konsiderueshme në vota të përgjithshme dhe në vota të kolegjit zgjedhor, autoritetet nuk pritet që të njoftojnë zyrtarisht për fituesin deri në dhjetor, kur të mblidhet Kolegji Zgjedhor.

Këto vota nuk numërohen zyrtarisht deri më 6 janar, kur të mbahen mbledhja e Senatit. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!