Hapja e negociatave, ende diferenca mes vendeve anëtare të BE

schedule20:45 - 21 Qershor, 2018

schedule 20:45 - 21 Qershor, 2018

Në Bruksel kanë vijuar debatet në lidhje me hapjen e negociatave të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE-së. Franca dhe Holanda vijojnë me qëndrimin e tyre kundër, ndërsa Gjermania duket e ndarë institucionalisht.

Hapja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE ka shkaktuar debate në gjirin e shteteve anëtare të Bashkimit Europian. Presidenca bullgare ka konfirmuar se qëndrimet e shteteve anëtare janë të ndryshme dhe shtetet anëtare po negociojnë që të gjejnë një zgjidhje për Shqipërinë, por edhe për Maqedoninë.

Franca aktualisht është vendi që është kategorikisht kundër hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por ky qëndrim nuk lidhet vetëm me qasjen e saj për procesin e zgjerimit. Franca konsideron se Shqipëria nuk i ka përmbushur 5 kriteret për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe se progres-raporti i Komisionit Europian është tepër optimist.

Të njëjtin qëndrim ndan edhe Holanda, duke bërë të qartë se nuk është dakord me progres-raportin e Komisionit Europian për përmbushjen e 5 kritereve nga Shqipëria. Gjermania është në favor të një rekomandimi të kushtëzuar për Shqipërinë, por ky vendim duhet të kalojë së pari në komisionin e çështjeve europiane dhe më pas në seancën plenare të Bundestagut.

Presidenca bullgare e ka të vështirë në këtë situatë të thotë me siguri nëse do të merret një vendim pozitiv më 26 Qershor nga ministrat e Brendshëm dhe ata të Çështjeve Europiane. Mbetet ende dilemë nëse vendimi përfundimtar do të kalojë përfundimisht në duart e 28 kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Europian më 28 dhe 29 Qershor./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!