Borell i kërkon Hagës ta hedhë poshtë kërkesën e Thaçit për mandatin e Speciales

schedule16:45 - 2 Nëntor, 2020

schedule 16:45 - 2 Nëntor, 2020

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka dorëzuar komente për mandatin e Speciales në Tribunalin Special.

Në dokumentin e publikuar, Borell thekson se Thaçi nuk është konsultuar me shefin e EULEX-it para parashtrimit të kërkesës ashtu siç e thotë ligji. Rrjedhimisht, ai shton se kjo kërkesë është e papranueshme duke përmendur edhe arsyet pse.

Brukseli zyrtar ka dërguar komente në Tribunalin Special pas kërkesës së Kosovës lidhur me amendamentin e Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Kjo kërkesë ishte bërë pas propozimit të presidentit të vendit, Hashim Thaçi që  kishte kërkuar të ndryshohet neni i amendamentit, ku thuhet se mandati i këtij institucioni do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare.

Sipas propozimit të Thaçit, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Pas propozimit të të parit të shtetit, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani i kishte nisur një letër Ekaterina Trendafilovas, kryetares së Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë. Në këtë letër, Osmani kishte kërkuar shqyrtim paraprak se ndryshimet e propozuara nuk zvogëlojnë të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës mbi të drejtat dhe liritë themelore.

Sipas nenit 144 të Kushtetutës, ndryshimet kushtetuese miratohen me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Votimi bëhet pasi që kryetarja e Kuvendit t’i adresohet Kushtetueses për të vlerësuar paraprakisht ndryshimet e propozuara.

Për këtë kërkesë të presidentit të vendit, komente në Hagë ka dërguar edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe Siguri, Josep Borell.

Në një letër që mbanë datën 30 tetor, Borell e falënderon u.d së shefit të njësisë së menaxhimit të kësaj Gjykate në Dhomat e Specializuara në Hagë, Syed Riaz Haider që ka pranuar që të zgjatet afati kohor për dërgimin e komenteve, derisa, është dhënë edhe qëndrimi i Brukselit karshi kësaj teme.

Në këtë letër përmendet 14 prilli i vitit 2014-të, kur presidenti i vendit si dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri kishin shkëmbyer letra për mandatin e EULEX’it dhe themelimin e funksionimin e një gjykate të specializuar.

Aty përmendet se në prill të atij viti, në Kuvend të Kosovës ishte votuar shkëmbimi i këtyre letrave si marrëveshje ndërkombëtare në mes të Kosovës dhe BE-së, derisa në  3 gusht, një vit më vonë në Kuvend është ndryshuar Kushtetuta duke shtuar një nen të ri për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Në pikat që ka paraqitur Borell thotë se pikërisht neni 162 thotë se mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë deri në njoftimin për përfundimin e mandatit e që bëhet sipas ligjit e në konsultim me Qeverinë.

Tutje, thuhet se ndryshimi që është propozuar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi do të thotë se duhet të fshihen dy paragrafë të nenit 162 të Kushtetutës, ai 13 dhe 14 ku thuhet se mandati do të vazhdojë deri në  njoftim të ri të Këshillit të Evropës në konsultim me Qeverinë e Kosovës.

Borell përmend edhe shkëmbimin e letrave, ku palët ishin dakorduar se çdo veprim apo angazhim shtesë për lehtësimin e punës së EULEX’it përfshirë konsultimet për procesin e ndryshimin e ligjeve, do të bëhet në koordinim dhe në përputhje me legjislacionin e Kushtetutën e Kosovës.

Nga Brukseli thonë se pavarësisht kësaj, asnjë këshillë apo takim me shefin e misionit të EULEX’it në Kosovë nuk ka ndodhur para se presidenti të dërgojë amendamentin e propozuar te kryetarja e Kuvendit.

Për këtë arsye, Borell thotë se kjo kërkesë e Thaçit është e papranueshme, për arsyet që i përmend edhe në letër.

Ai ka kërkuar nga paneli i Gjykatës Kushtetuese që të shqyrtojë çështjen duke pasur parasysh rëndësinë e ruajtjes së Dhomave të Specializuara dhe Prokurorit të Specializuar si një Gjykatë e paanshme e krijuar sipas ligjit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!