Teksa shifrat e koronavirusit po rriten në vendin tonë familjarët shprehen të shqetësuar për të afërmit e tyre që janë duke u trajtuar në spitalet Covid.
I tillë është edhe rasti i një zonje e cila mes lotësh tregon për ABC se nëna e saj 85-vjeçare po lufton me vdekjen në spitalin “Infektiv”, dhe askush nuk i jep asnjë informacion prej ditësh.
“Kam nënën në gradë të fundit, është me sëmundje të tjera por rroftë sebepi dhe ja ngjitën Covid tani. Jam bërë pishman që e solla këtu, e që nuk e mbajta në shtëpinë time ti dilte shpirti. Fillimisht ishte tek urgjenca për 4 ditë, ishte me temperaturë dhe kishte oksigjenin e ulët, pastaj i bënë tamponin dhe thanë se është më Covid.
Ajo ishte me kancer, është edhe e paralizuar, këta ja kanë ngjitur kot. Kot e solla, ta kisha çuar në shtëpinë time.
Më mori doktoresha tani dhe më tha që është shumë rëndë, po pres të më marri prapë. Katër ditë e mbajtën te urgjenca, i bënin vetëm një serum, asnjë shërbim tjetër, gënjejnë të gjithë, asgjë nuk kanë”, thotë ajo.
Nëntori nisi me numër rekord viktimash e të infektuarish, ndërsa testimet mbeten në të njëjtin nivel.
Java që lamë pas u mbyll me 41 të vdekur ndërsa autoritetet shëndetësore raportuan shifra të larta rastesh të reja në Tiranë, e cila mbetet vatra më e madhe infektimeve nga Covid-19.
n.d./abcnews.al