Lewis Hamilton vazhdon të dominojë klasin më të lartë të garave të automobilizmit. Në Imola, shtëpinë e Ferrarit, anglezi dominoi gjithë garën dhe regjistroi fitoren e 93-të në Formula 1. Gara ishte e gjitha e dominuar nga makinat Mercedes, të cilat këtë herë nuk u ndanë nga Verstapen, i cili la garën në xhiron e 51-të pas problemeve me gomat.
Nga largimi i holandezit përfitoi ish-shoku i tij i skuadrës, Daniel Ricardo, që u rendit i treti me Renault, duke marrë podiumin e tij të dytë për këtë sezon. Garë tjetër pozitive për Leclerc të Ferrarit, që u rendit i pesti, përtej problemeve të shumta të kokëkuqes së këtij sezoni.
Tjetër garë pa pikë për Vettel, i renditur i 12-ti, duke treguar edhe njëherë se nuk është më në ditët e dikurshme kur shpallej kampion bote. Gjashtë xhiro nga fundi një incident i George Russell nxori makinën e sigurisë në pistë, duke ia bërë më të lehtë administrimin e garës Hamilton e Botas, që renditen njëri pas tjetrit dhe vrasin garën për konstruktorë këtë sezon. /abcnews.al



