Miliona paciente te prekur nga kanceri i gjirit mund të mos kenë më nevojë për kimioterapi, pasi shkencëtarët kanë zhvilluar një test të ri ADN-je që ndihmon të përcaktohet se cilët pacientë përfitojnë realisht nga ky trajtim dhe cilët mund ta shmangin atë, sipas rezultateve të një studimi ndërkombëtar.
Studimi i udhëhequr nga University College London (UCL) përfshiu mbi 4,000 pacientë të sapodiagnostikuar mbi moshën 40 vjeç në Britani, Norvegji, Suedi, Australi, Zelandën e Re dhe Tajlandë.
Studiuesit përdorën një test gjenetik të quajtur Prosigna, i cili analizon aktivitetin e 50 gjeneve të lidhura me rritjen e kancerit të gjirit dhe vlerëson rrezikun që sëmundja të rikthehet.
Rreth dy të tretat e pjesëmarrësve rezultuan me rrezik të ulët dhe nuk iu nënshtruan kimioterapisë, por u trajtuan vetëm me terapi hormonale. Në këtë grup, shkalla e mbijetesës pas pesë vitesh ishte 93.7%, ndërsa te pacientët që morën edhe kimioterapi ishte 94.9%.
Kimioterapia mbetet një nga trajtimet kryesore pas operacionit për heqjen e tumorit, por shpesh shoqërohet me efekte anësore të rënda si lodhje, të përziera, rënie flokësh, dobësim të sistemit imunitar dhe probleme me fertilitetin. Ajo përdoret gjithashtu te pacientët me kancer të hershëm që është përhapur në nyjet limfatike përreth.
Sipas n University College London, më shumë se 5,000 pacientë ne Mbretërinë e bashkuar në vit mund të shmangin kimioterapinë falë këtij testi. Studiuesit theksojnë se kjo përbën një hap të rëndësishëm drejt trajtimit më të personalizuar, duke u bazuar në biologjinë e tumorit dhe jo vetëm në faktorët klinikë tradicionalë. Profesori Rob Stein, udhëheqësi i studimit, tha se rezultatet “përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt trajtimeve më të personalizuara”, duke shtuar se shumë pacientë mund të kursehen nga barra fizike dhe emocionale e kimioterapisë dhe efektet e saj afatgjata.
Studiuesit theksojnë se ajo çfarë nuk dihet është nëse rezultatet vlejnë edhe për paciente të moshës nen 40 vjeçare dhe se do të duhen kërkime të mëtejshme shkencore për grupmoshat më të reja.


