Juventusi luan ndeshjen e radhës në kampionat nesër (15:00). Kampionët e Italisë do të luajnë jashtë fushe me Spezian, takim që duhet fituar me çdo kusht. Cristiano Ronaldo u shërua nga Covid-19 ditën e djeshme dhe është grumbulluar për takimin me Spezian.
Trajneri i bardhezinjve, Andrea Pirlo flet për gjendjen e yllit portugez si dhe situatën e lojtarëve të dëmtuar dhe Paulo Dybala. Një koment për kundërshtarët nuk mungon, teksa ndalet edhe te ajo që i mungon Juventusit në këtë moment.
CR7 – “Ronaldo ka dalë negative në dy tamponë radhazi dhe sot është stërvitur i diferencuar. Ka punuar edhe në shtëpi, por nuk është e njëjta gjë si në fushë. Nesër do të udhëtojë me skuadrën dhe do të shohim nëse do të luajë nga fillimi apo jo”.
MBROJTJA – “Rikuperimi i De Ligt po ecën shumë mirë, por do të qëndrojë edhe një javë pushim për të mos rrezikuar asgjë. Bonucci dje u stërvit i diferencuar, ndërsa sot me grupin, ndaj do të jetë gati për Spezian. Chiellini nuk është grumbulluar, ai vijon procesin e rikuperimit të plotë”.
KUNDËRSHTARI – “Spezia është një skuadër e ngjitur në Serinë A dhe do të synojë të grumbullojë sa më shumë pikë, pasi duan të qëndrojnë gjatë në elitë. E njoh mirë trajnerin e Spezias, pasi kemi bërë kursin bashkë dhe e di se çfarë skuadre dëshiron të hedhë në fushë”.
JUVENTUSI – “Na mungon pak soliditet në rikuperimin e topave, ndonëse vijojmë të jemi skuadra me mbrojtjen e dytë më të mirë pas Napolit. Duam të luajmë një futboll sulmues, gjë që ka edhe riskun të lësh disa hapësira më shumë, por besoj se jemi në rrugën e duhur për t’u përmirësuar”.
SHKARKIMI? – “Unë jam mësuar me presionin, pasi e kam ndjerë edhe kur isha futbollist. Presioni dhe përgjegjësia nuk më surprizojnë, përkundrazi, më nxitin të bëj gjithmonë e më mirë”.
DYBALA – “Nuk është psikologjike, Paulo ka thjesht një problem fizik. Ka qëndruar jashtë fushave për 100 ditë dhe ishte diçka e pritshme. Kur kthehesh nga dëmtime të tilla, ndeshjen e parë e luan gjithmonë me entuziazëm, por më pas ndjen një lodhje që është normale, e cila kalon me 4-5 ndeshje radhazi”. /abcnews.al