Së shpejti do të bëhet regjistrimi online i çdo transaksioni në kohë reale. Programin e ri që po realizohet nga Ministria e Financave e bëri publik kryeministri Edi Rama gjatë bashkëbisedimit që zhvilloi me operatorët turistikë në Durrës.
Në fjalimet e tij, kryeministri Edi Rama është i kujdesshëm të tregojë hapat para që ka hedhur qeveria. Kështu bëri edhe në takimin me operatorët turistikë në Durrës.
“Ne kemi një rritje të konsiderueshme të formalizmit të ekonomisë dhe të transaksioneve që bëhen në strukturat e mikpritjes. Marrja e kuptonit sot është shumë më e pranishme sesa ishte”.
Por ashtu siç shprehet rëndom, boshllëqet nuk mungojnë dhe këtu është fokusi i punës së strukturave të qeverisë.
“Jemi duke u përgatitur për një inovacion të rëndësishëm teknologjik në funksion të biznesit të formalizuar dhe për të formalizuar më tutje biznesin, bazuar në një model shumë të suksesshëm në Kroaci e në një sërë vendesh të rajonit. Ministria e Financave po punon intensivisht për këtë program, i cili do t’iu vihet në dispozicion të gjithë bizneseve, për të mundësuar atë që ne akoma nuk e kemi sot, regjistrimin online të çdo transaksioni në kohë reale”.
Koha është që të gjenden të gjitha mënyrat dhe format për të shtuar numrin e turistëve të huaj, nënvizoi kreu i qeverisë. Shqipëria është nga vendet më të sigurta, po të shikosh shifrat dhe po të dëgjosh dëshmitë e atyre që vijnë, tha ai, duke e argumentuar me shembujt që i ka treguar kryebashkiaku i Durrësit.
“Më prezantoi Vangjushi më parë me dy turistë norvegjezë, të cilët për të tretën herë vijnë në Shqipëri dhe folën shumë thjeshtë, vend me siguri të plotë, vend me çmime të lira, vend me mikpritje fantastike. Mirëpo imazhi është ende që po të vish në Shqipëri, mund të lësh lëkurën këtu”.
Situata është ndryshe sapo shkelin në Shqipëri tregon kryeministri Edi Rama, duke e vërtetuar me një tjetër turist të trembur.
“Përpara disa muajsh, një turist politik erdhi në Shqipëri dhe nuk dilte nga salla VIP e aeroportit, sepse thoshte dua roje me pushkë dhe makinë të blinduar. 40 minuta debat. Në fund i thanë se nuk e ofrojmë këtë shërbim, pra, roje me pushkë, i kemi me revole, po deshe ik. Hyri dhe të nesërmen ka ardhur më ka takuar dhe më tha, unë dua të të kërkoj ndjesë, sepse e kam imagjinuar Shqipërinë 100 % ndryshe nga kjo që shoh”.
Është e vështirë për ta ndryshuar këtë imazh vetëm nëpërmjet njerëzve që vijnë dhe e shohin vetë, por kur në Shqipëri të jenë ngritur hotelet me 5 yje, me emra që i gjen në të gjithë Mesdheun, atëherë ajo flet vetë, tha kryeministri Rama, duke premtuar se më shumë do të bëj në këtë drejtim.
“Dhe të jeni të bindur që ne do të bëjmë më shumë, pa harruar asnjëherë atë shprehjen: Bëra sa munda, nuk bëra sa desha. Të mundja më shumë, se lija pa bërë”./abcnews.al