Një nga artistët më të rinj të muzikës rep në SHBA është vrarë me armë zjarri në Florida. Autoritetet që kanë nisur një hetim, thontë se 20-vjeçari është qëlluar gjatë një tentative për grabitje.
XXXTentacion, një nga artistët më popullor të skenës rep në Shtetet e Bashkuara është vrarë në Florida me armë. Reperi, emri i vërtetë i të cilit është Jahseh Dwayne Onfroy, 20 vjeç, është qëlluar me pistoletë ndërsa po largohej nga një dyqan motoçikletash. Mediat shkruajnë se me shumë mundësi, ai ishte viktimë e një tentative për grabitje. Sipas rindërtimit të skenës së ngjarjes nga sherifi i zonës, dy persona të armatosur kanë qëlluar dhe më pas janë larguar në bordin e një automjeti.
Ylli i muzikës rep i skenës amerikane, XXX Tentacion nuk ishte një personazh që kalonte pa rënë në sy. Dhe jo për muzikën se sa për mënyrat e tij të ashpëra dhe telashet e vazhdueshme me drejtësinë. Me nënë domenikane dhe baba xhamajkan, Jahseh përfundoi në rajon për herë të parë në moshën 6 vjeçare, pasi i nguli thikën një personi që po keqtrajtonte mamanë e tij. Që prej asaj kohe, jeta e tij kaloi me dhunë dhe zhvillime negative.
Në 2013-ën, përfundoi përsëri në burg pasi iu gjet një armë zjarri pa leje. Një vit më pas akuzohet për dhunë, ndërsa në 2016 kthehet në burg për grabitje. Në 2017 artisti përsëri u vendos në qeli pasi kishte dhunuar të dashurën, e cila në atë kohë ishte shtatëzënë.
Ndërkohë, sa i përket muzikës, kënga e tij më e suksesshme titullohet “Look at Me” që i solli dhe kontratën me grupin muzikor “Universal”. Por kjo kontratë u anullua për shkak të mosmarrëveshjeve mes reperit dhe menaxherit të tij. Albumi i fundit i këngëtarit u publikua në mars të 2018-ës. /abcnews.al