Kryetarja e Komitetit të Ekspertëve Mira Rakacolli ka njoftuar masat shtrënguese të vendosura nga autoritetet shëndetësore pas rritjes së rasteve të reja me koronavirus në vendin tonë.
Ajo tha se universitetet të cilët pritet të nisin vitin e ri akademik nga e hëna e dy nëntorit do zhvillojnë mësimin online, për një periudhë të paktën 1 mujore. Në këtë mënyrë do të qëndrojnë të mbyllura konviktet deri në një njoftim të dytë.
Ndërkohë ajo tha se po mendohet edhe mbyllja e lokaleve në zonën e ish-Bllokut pas orës 22:00, ndërsa nuk përjashtoi se në varësi të rritjes së rasteve do të ketë masa të tjera shtrënguese, bazuar në rekomandimet e autoriteteve ndërkombëtare dhe hapat e vendeve të huaja.
“Në mbledhjen e zhvilluar pak momente më parë Komitetin Teknik i Eksperteve, ka analizuar situaten dhe risqet, kemi vleresuar situaten në rajon dhe Europë, masat e ndërmarra nga këto vende, zbatimin e masave në vendin tonë, ecurinë e epidemisë në vend dhe kemi vendosur unanimisht të propozojmë që universitetet të zhvillojnë vetëm mësim online, pra mësim vetëm ne distancë, pa prezenceë fizike të paktën për muajin e parë të hapjes, duke vlerësuar situatën ne dinamikë.
Aulat dhe konviktet do të jenë të mbyllura deri në një vendim të dytë. Njëhkohesisht, Komiteti Teknik po vlerëson mbylljen e bareve e kafeneve në zonën e Bllokut në Tiranë pas orës 22.00, duke qenë se konstatohet një vatër rreziku të madh potencial nga grumbullimet në atë zonë gjatë orëve të natës.
Për dy javët e fundit incidenca e rasteve me COVID-19 për Shqipërinë është 130 për 100,000 banorë. Aktualisht janë rreth 500 vatra aktive ne vend, 35% e te cilave jane perqendruar ne Tiranë. Vlerësohet se rastet e rritura pozitive përkojnë me hapjen e shkollave, bareve dhe restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese por dhe me sezonin e vjeshtes që sjell më shumë grumbullime në ambjentet e brendshme dhe rritje të kontakteve në ambiente të mbyllura.
Një thirrje për të gjithë, për të zbatuar rregullat e vendosura, nëse nuk ka disiplinë do të rrezikojme mbylljen që askush nuk e do. Secili prej nesh e ka në dorë të frenojë përhapjen e epidemisë. Vendimi që kemi marrë për maskën e detyrueshme është një vendim i drejtë, i provuar tashmë për dobinë e tij. Mbajeni maskën kudo dhe ruani distancimin fizik, pa harruar higjienën e duarve”, tha Rakacolli./mv.abcnews.al