Borxhi publik arriti në 79.72 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të shtatorit duke reflektuar një ulje të lehtë në raport me nivelin e deklaruar në prill-qershor që ishte mbi 80 për qind, duke u luhatur afër niveleve më të larta rekord të arritura ndonjëherë.
Në krahasim me fundin e 2019-n, kur ishte 66.2% e PBB-së, stoku i borxhit është rritur me 13.5 pikë përqindjeje, për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19 dhe rindërtimit pas tërmetit.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se stoku i borxhit në fund të shtatorit në vlerë ishte 1.26 trilion lekë, ose 9.13 mld euro. Pjesa më e madhe e këtij borxhi i takon atij të brendshëm me 643 miliardë lekë teksa stoku i atij të jashtëm është sa 39 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Shërbimi i borxhit deri në shtator të këtij viti ishte sa 2.9 për qind e PBB apo 24.5 miliardë lekë. Situata e pandemisë ka bërë që në zërat e deklarimit të stokut të borxhit publik ku përfshihen specifikat për borxhin e qeverisë qendrore bie në sy edhe pjesa e borxhit të garantuar e cila është shtuar edhe me dy garancitë që dha qeveria për biznesin. Kjo garanci është 8 miliardë lekë ndërsa në total borxhi i garantuar në fund të tremujorit të tretë ishte 17.2 miliardë lekë apo 2.67 për qind e totalit.
Në terma të afatit stoku i brendshëm është kryesisht në instrumente afatgjatë obligacione në 65.3 për qind të tij ndërsa në instrumente afatshkurtër si bono thesari 30.93 për qind.
Ulja e borxhit të tremujorin e tretë erdhi si rrjedhojë e shkurtimit të shpenzimeve në raport me planin, e detyruar nga ecuria jo e mirë e të ardhurave tatimore.
Sipas të dhënave të tjera të Ministrisë së Financave, për periudhën janar shtator, të ardhurat në buxhet u tkurrën me 10.5% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shpenzimet u rritën me 5.5% për të njëjtën periudhë, por ato ishin 7.6% më të ulëta sesa plani. Si rrjedhojë, deficiti buxhetor, ndonëse në rritje të ndjeshme (duke arritur në 58 miliardë lekë, nga 3 miliardë lekë në të njëjtën periudhë 2019) ishte rreth 32% më pak se plani, duke lehtësuar presionin mbi borxhin.
Me të ardhurat që nuk po ecin sipas parashikimeve (rënia pritej vetëm 3% por për 9 mujorin është mbi 10%), financat po detyrohen të kursejnë në kahun e shpenzimeve. Vetëm pak ditë më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar pezulloi dy tendera që sapo ishin hapur, konkretisht për “Ndërtim Rruga mbikalimi TEG dhe rrugët lidhëse të tij”, me fond limit rreth 1.5 miliardë lekë, dhe “Ndërtim i rrugës. lidhja e Autostradës Milot – Morinë me Aeroportin e Kukësit”, me një fond limit rreth 600 milionë lekë.
Në projektbuxhetin e vitit 2021, parashikohet që borxhi deri në fund të 2020-s të mbetet në rreth 80% të PBB-së, për t’u ulur në rreth 78% të PBB-së në 2021.
FMN është më pesimiste dhe pret që borxhi të kapërcejë 83% të PBB-së në 2020-n./Monitor