Qeveria e Maqedonisë ratifikoi marrëveshjen për emrin e ri, të firmosur të dielën në Prespë. Tashmë akordi historik do të dërgohet në Kuvendin e Shkupit, për shqyrtim dhe miratim. Marrëveshja pritet të futet në rend dite në seancën e së mërkurës.
Qeveria e Maqedonisë mëngjesin e së hënës ratifikoi marrëveshjen e firmosur në Prespë, midis ekzekutivit të Shkupit dhe Athinës për ndryshimin e emrit nga “Republika e Maqedonisë” në “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Seanca ka zgjatur më pak se gjysmë ore dhe është miratuar në unanimitet. Pas miratimit në Qeveri, marrëveshja do të dërgohet në Kuvend për miratim, që me shumë gjasa do të vendoset në rend dite këtë të mërkurë. Për miratimin e saj në Kuvend nevojitet një shumicë e thjeshtë, 61 deputetë. Nga kuorumi minimum i 61 deputetëve, 31 nevojitet që të votojnë “pro”. Sipas procedurave, ligji më pas do të dërgohet në Presidencë.
Ndërkohë Presidenti Ivanov në afat prej shtatë ditëve duhet ta firmosë. Përderisa Ivanov përdor të drejtën e vetos, marrëveshja kthehet prapë në procedurë parlamentare, ndërsa atëherë do të nevojitet një minimum prej 61 votash të deputetëve për miratimin e ligjit. Më pas ligji përsëri kthehet tek presidenti, i cili sipas kushtetutës është i obliguar që ta firmosë.
Mirëpo presidenti Ivanov tashmë ka bërë të ditur qëndrimin e tij se nuk do të firmos një marrëveshje të tillë. Implementimi i marrëveshjes do të zhvillohet në disa etapa. Do të hyjë në fuqi pasi dyja palët do ta pranojnë në përputhje me procedurat e brendshme. Por akordi dhe mund të rrëzohet nëse ndonjë nga palët nuk e pranojnë atë. Ndërkohë edhe qytetarët e Maqedonisë do të thonë fjalën e tyre në referendum, i cili pritet të mbahet në shtator ose tetor. /abcnews.al