Ish-deputeti demokrat Endri Hasa lëshon akuza kundër Operacionit Forca e Ligjit, që vijon që të dërgojë formularë tek personat e dënuar apo nën hetim për justifikimin e pasurisë. Rasti konkret për të cilin ai akuzon OFL-në lidhet me Llazar Bicjan. Hasa shprehet se në vend që t’i dërgojë formularin për pasurinë, njërit prej vrasësve të gardistëve në 97-ën, policia duhet ta gjejë, pasi është ende në arrati.
“OFL po vepron si një grup kllounësh që tallen me ligjin dhe me qytetarët. Kjo që kanë bërë në Cërrik me gjoja pasurinë e Llazar Bicjes është vetëm një shfaqje e turpshme. Ky është një nga vrasësit e gardistëve në 97-ën. Prej atëherë jeton në arrati, nuk e ka vuajtur kurrë dënimin. Në vend që ta gjejë dhe ta çojë para drejtësisë, OFL i kërkon burimin e pasurisë një vrasësi në arrati, duke u bërë një trupë qesharake dhe joserioze.
Kur policia shndërrohet në trupë gaztorësh, nuk mund të pritet prej saj që të veprojë si institucion i zbatimit të ligjit. Shqipëria e Edi Ramës është vendi i vetëm në botë ku policia është e pamëshirshme, kur vjen fjala për të shembur Teatrin dhe bën teatër me rendin dhe zbatimin e ligjit” shkruan ai./ db/Abcnews.al