U la jashtë listës në Pogradec, Balliu: Jam në fillimet e karrierës politike! Shtyhet seanca për “Astirin”

schedule10:11 - 26 Tetor, 2020

schedule 10:11 - 26 Tetor, 2020

Shtyhet për në datën 9 nëntor, seanca e radhës për gjykimin e ish-deputetit demokrat Klevis Balliu dhe banorët e Unazës së Re të cilët akuzohen për kundërshtim të forcave të policisë gjatë protestave te “Astiri” për të kundërshtuar shembjet e shtëpive. Balliu tha në një dalje për mediat se shkak për shtyrjen e seancës ishte mungesa e trupit gjykues. Ai hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj lidhur me projektin e Unazës së Madhe.

“Ky ishte procesi i radhës politik. Mua dhe banorët e Unazës nuk na sjell këtu as ligji as drejtësia por regjimi diktarorial i Ramës. Disa qytetarë të thjeshtë përplasen me një diktaturë duke protestuar. Veliaj e ka pranuar se aty do bëhen pallate. Shtëpitë e qytetarëve u prishën për pallatet e oligarkëve. Unë dhe banorët e Unazës do t’i bëhet presion për të na mbyllur gojën. Rama dhe Veliaj shtojnë vilat ndërsa qytetarëve i prishen vilat.

Ai nuk merr masa për pandeminë pasi kërkon që ajo të përkeqësohet dhe të rikthejë karantinën. Kujdeset që pandemia të përkeqësohet në Shqipëri. Kam me dhjetëra gjyqe për këtë protestë dhe këta jo vetëm që nuk i japin një vijë logjike por nuk vijnë as në seancë. Kërkojnë që të na mbajnë këtu. Mendojnë se mund të na bëjnë presion. Këlyshët e Enver Hoxhës duan të na mbyllin gojën”, tha Balliu.

Balliu, i cili nuk u përzgjodh nga demokratët e Pogradecit për të kandiduar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare la të kuptuar se tashmë ka plane të tjera në politikë, pasi tha se është në fillimet e karrierës së tij, duke e cilësuar qeverinë dhe kreun e saj se tashmë janë në grahmat e fundit të saj.

“Këto janë në fund të karrierës politike ndërsa unë sapo e kam filluar karrierën politike. E ardhmja dihet se me kë është. Oligarkët sot po shijojnë paratë e tyre dhe po marrin leje nga Veliaj. Qytetarët kanë dy mundësi: Të jenë skllevërit e Edi Ramës ose të bëhen gjeneralë të fateve të tyre. Me çfarë provash na sjellin këta ne këtu, me provat e Policisë së Shtetit të cilët janë të lidhur me Sigurimin. Kam dosjet e tyre se si i kanë shërbyer sigurimit të shtetit. Është koha për veprim”, u shpreh Balliu./mv. abcnews.al