Greva e urisë së naftëtareve në Ballsh ka hyrë në ditën e 11-të, ndërsa njëra prej grave është zëvendësuar, pasi Silva Fejzaj u dërgua me urgjencë mbrëmë në spitalin e Ballshit. Gratë shprehen të vendosura për ta vijuar duke mos hequr dorë nga kërkesat e tyre për pagat e prapambetura. “Padyshim do ta vazhdojmë, nuk kemi se ku të shkojmë. Të na japin lekët të ushqejmë fëmijët, na presin të shkojmë me lekë në shtëpi, t’u blejmë bukë dhe ilaçe” tha njëra prej tyre.
Referuar thirrjes së kryeministrit për ndërprerjen e grevës si kusht për të negociuar, një tjetër prej grave e cilësoi si papërgjegjshmëri, pasi theksoi se nuk po kërkojnë lëmoshë, por djersën e tyre.
“Kjo është papërgjegjshmëri e kryeministrit që thotë këtë, sepse në një shtet demokratik nuk e kuptoj sesi thotë negocio për bukën e gojës. Për cfarë? Kur ne e kemi thënë shumë qartë, për bukën e fëmijës nuk negociohet, sepse nuk e kërkojmë të na e falë të na japë lëmoshë, por djersën tonë.
Kryeministri thotë hajde ta neogicojmë, cfarë është kjo papërgjegjësi e kryeministrit që thotë hajde negociojmë, ne duam lekët që kemi punuar.
Kauza jonë do të vazhdojë, ne nuk lëvizim pa fituar pagat e fituara me gjyq, 13. Të negociojmë për fillimin e punës. Kauza jonë është e drejtë, do të vijojmë deri kur të marrim përgjigje. Shoqja jonë mbrëmë ishte në gjendje të rëndë, ka probleme me sëmundje profesionale të marra në uzinë, me stomakun.
Të paktën nga vetë natyra grua, cfarë mund të bësh. Ne jemi gra të forta dhe të vendosura, prandaj u bëj thirrje edhe vëllezër të vijnë këtu, edhe burra të parlamentit të shikojnë situatën e këtyre grave heroina, të forta. Nuk e lë grevën, kam 35 vite në uzinë. Ne jemi pa bukë, cfarë sigurimesh, 3 vite nuk paguhen fare” tha ajo.
Gratë paralajmëruan se nesër do të marrin në grevë edhe fëmijët. Por sot njëra prej tyre tha se “Ne e kemi menduar atë gjë, por kemi dëshirë që kauzën ta çojmë vetë, por nuk e dimë si do të na marrë rrjedha” theksoi ajo./ db/Abcnews.al