Artistët dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk ranë dakord për Teatrin Kombëtar, ndonëse diskutuan për mbi tri orë. Artistët vijojnë të kundërshtojnë prishjen e ndërtesës ekzistuese dhe ndërtimin e një Teatri të ri me kulla. Por Veliaj argumentoi se godina ekzistuese ndodhet në kushte të vështira.
Mbi tri orë diskutime mes artistëve dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj nuk prodhuan një zgjidhje për çështjen e Teatrit Kombëtar. Kryebashkiaku ftoi artistët të zgjedhin një përfaqësi për të negociuar rreth projektit të Teatrit, por ata kanë një kusht.
Erjon Veliaj: “Ky nuk është një ligj për të prish Teatrin dhe një ligj për të ndërtuar teatrin e ri, ky është një ligj që thotë se ne kemi një ofertë, ne kemi një propozim, a mund ta konsiderojmë zyrtarisht dhe të caktojmë një palë negociatore, nuk mund të shkojmë të 2000 te arkitekti”.
Arben Derhemi: “Ai është vend i shenjtë e ka thënë Robert Ndrenika, ai është Jeruzalem dhe ai nuk do të cënohet se aty fillojnë dhe mbarojnë bisedimet me ne”.
Të kontaktuar nga ABC Neës në mbyllje të takimit artistët thanë se të premten do të dalin në protestë siç kishin planifikuar më herët, ndërkohë sipas bashkisë dëgjesa të ngjashme do të vijojnë. Në këtë dëgjesë të parë kryetari i Bashkisë përsëriti se godina ekzistuese ndodhet në gjendje të mjerueshme, ndërsa shpjegoi se teatri i ri ka kosto të papërballushme për t’u ndërtuar pa partneritetin e privatit.
Erjon Veliaj: “Shkon 4-5 fishi i një pallati se nuk është pllaka manjelike edhe tuba hidraulike. Pra kostot dhe me çmimet e Shqipërisë për Teatrin për 9 mijë e 500 metra katorë do të ishin 30 milionë euro që të ketë të gjithë parametrat e një teatri modern. Të gjitha investimet në Tiranë në një vit nga Shën Gjergji në Ndroq janë në nivelin e 20 milionë eurove”.
Artistët kërkuan rikonstruksionin e godinës aktuale të Tetarit Kombëtar. Robert Ndrenika merr shembull pazarin e ri, kundërshton partneritetin publik-privat, e nuk është dakord as me shifrën që kryebashkiaku jep për ndërtesën e re.
Robert Ndrenika: “Edhe ky kompleksi ynë me të dyja këto godinat edhe me atë të marangozëve edhe me oborrin, se është monument kulture dhe oborri, edhe pishina mund të riparohet dhe mund të dalë një gjë e shkëlqyer dhe jo em 30 milionë euro dhe kam bindjen zoti Erjon se të kanë gënjyer me ato 30 milionë eurot, pavarësisht se the 4-5 fish nuk është e vërtetë ajo, maximumi mund të shkojnë 10 milionë”.
Kundër një Tetari me kulla u shpreh edhe Reshat Arbana.
Reshat Arbana: “Kam 27 vjet që kam ik nga ai Teatër, them që Teatri duhet të mbetet aty, se ato kullat do na duket sikur do bien në kokat e artistëve dhe mbin godinën e tëatrit..
Për regjisorin Budina këto diskutime vijnë se ndër vite kultura nuk ka marrë vëmendjen e duhur. Argumentin e mbështet ne buxhet, ndërsa krahasimin e bën me rajonin.
Robert Budina: “Unë nuk e di se ku vendet tona fqinje i gjejnë financimet për kulturën, ne e kemi 0.7% për kulturën, vendet et e rajonit e kanë minimumi 2-3%”.
Kjo dëgjesë publike me Kryetarin e Bashkisë vjen pas disa protesave të artistëve për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar.