Ish-sulmuesi i Interit dhe Milanit, Hernan Crespo, ka folur për Serie A. Argjentinasi në një intervistë për “Tuttosport” flet për lojtarët argjentinas në Serie A si dhe për mikun e tij, Andrea Pirlon. Në prag të duelit mes Barcelonës dhe Juventusit, Crespo zbulon se kush është i preferuari i tij mes Ronaldos e Messit.
ANDREA PIRLO – “Jam shumë i lumtur për Andrea Pirlon, pasi ai është një person i shkëlqyer dhe unë gjithmonë i uroj më të mirat njerëzve të mirë. Unë kam qenë në një dhomë me Pirlon dhe Alessandro Nestën dhe kemi kaluar shumë momente të bukura së bashku”.
PAULO DYBALA – “Talenti i Dybala tashmë dihet dhe ai do të shpërthejë shumë shpejt. Ai është një lojtar që i duhet një ekipi të madh, këtë gjë Paulo e ka provuar shumë herë”.
LAUTARO MARTINEZ – “Isha i bindur për zgjedhjen e tij në merkaton e kaluar. Lautaro do të qëndronte tek Interi dhe ashtu bëri. Sezoni që lamë pas nuk ishte aspak i lehtë dhe klubi i besoi shumë atij pas largimit të Mauro Icardit. Tashmë ai ka provuar gjithçka dhe e meriton vendin”.
DUELI RONALDO-MESSI – “Më vjen keq që shikoj një Messi të mërzitur tek Barcelona. Shpresoj që ai të vazhdojë të këtë po ato marrëdhënie të mira me drejtuesit, pasi në të kundërt do të shikojmë një tjetër Leo në fushë. Unë pa asnjë dyshim që do të zgjidhja atë para Ronaldos nëse do të kisha mundësi”, mbyll Crespo. /abcnews.al