Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mori në shqyrtim prokurorin e Apelit Tiranë, Gentian Trenova. KPK ngriti dyshime për pasuri të pajustifikuara dhe për mangësi në veprimet hetimore të tij. Sipas KPK, prokurori nuk kishte hetuar plotësisht pasurinë e një trafikanti dhe as një dosje korrupsioni, ku dyshohej dhe një prokuror.
Gentian Trenova ishte funksionari i radhës i sistemit të drejtësisë që doli para një trupe të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Prokurori i Apelit Tiranë iu nënshtrua me përparësi procesit të Vettingut, për shkak të kandidaturës së tij si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Në pasuritë e vërejtura të prokurorit ishte një apartament në pallatet e para viteve `90 në Tiranë dhe një shtesë mbi të, kursime të bashkëshortes në shumën 432 mijë lekë, depozitë bankare në shumën 358 USD dhe 3 mijë euro, dy automjete si edhe një total prej gati 8 mijë euro të dhuruara nga familjarët.
Hetimi i KPK vlerësonte si të pajustifikuar apartamentin, për të cilin në vitin 2007 ishin nënshkruar dy kontrata shit-blerjeje me vlera të ndryshme. Në vitin 2012 ky apartament i ishte dhuruar vjehrrit të prokurorit. KPK ngriti dyshime për kotratë dhurimi fiktive, pasi aparamenti duplex banohej nga Trenova.
Vetë prokurori shpjegoi se shtesa është ndërtuar nga vjehrri i tij me të ardhura të ligjshme dhe se dhurimin ia kishte bërë për t’i krijuar atij mundësitë e një kredimarrjeje. KPK evidentoi dy çështje, ku Trenova kishte vendosur mosfillim procedimi ose pushim hetimi pa i kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore.
Prokurori kishte ndërprerë hetimin pasuror ndaj personit me iniciale V. L. të arrestuar në Greqi me 170 kilogramë kanabis dhe një armë. Sipas Komisionit, prokurori nuk kishte realizuar të gjitha veprimet hetimore për identifikimin e pasurive të këtij personi.
Rasti tjetër ishte një hetim për “korrupsion” me përgjime telefonike që ngrinin dyshime mbi përfshirjen e një prokurori me iniciale A. K. Sipas KPK, tre muaj pasi mori dosjen Trenova vendosi pushimin e hetimit dhe i kërkoi gjykatës asgjesimin e përgjimit dhe materialeve të dosjes.
Rezerva shfaqi për këto dy raste edhe monitoruesi ndërkombëtar në seancë, Theo Jacobs, i cili vuri pikëpyetje të mëdha në veprimet e kryera nga Trenova.
Komentet e bëra nuk u mirëpritën nga avokati i Trenvoës, Saimir Lame. Nga ana tjetër, DSIK dhe Prokuroria e Përgjithshme në raportet e tyre vlerësoin të pastër dhe të aftë profesionalisht prokurorin Trenova. Vendimi përfundimtar për të pritet të shpallet në 20 Qershor./abcnews.al