Osama Vinladen, kështu quhet futbollisti që ka tërhequr vëmendjen e mediave botërore. 18-vjeccari është bashkuar me klubin e ligës së dytë në Peru, Union Comercio, dhe normalisht emri i tij është ai që i habit të gjithë. Për më tepër që në Spanjë Vinladen lexohet Binladen, pikërisht si ish-lideri i Al-Qaeda.
Osama ka dhënë një intervistë për emisionin “Que T’hi Jugues” në radio Ser Catalunya dhe zbulon detaje të tjera mjaft interesante dhe të çuditshme në të njëjtën kohë. “Vëllai im quhet Saddam Hussein, ndërsa babai im donte ta quante fëmijën e tretë George Bush. Nëna lindi vajzë dhe nuk mund t’ia vendoste atë emër.
Nuk ka njerëz të tjerë që mund ta quajnë veten kështu. Unë e kam kaluar atë situatë dhe tani më duket normale. Në fanellën time shkruhet Osama dhe nuk e fsheh që kam menduar ta ndryshoj emrin. Gjithsesi tani jam i qetë.
Më duket se në Peru është edhe një njeri i quajtur Hitler. Jesus shpëtoi botën, ndërkohë që ka Jesusë që i bëjnë dëm asaj. Për shkak se një Osama vrau njerëz nuk mendoj se duhet të ketë një ligj që e ndalon këtë emër. Madje tërheq shumë vëmendje, nga ajo që unë shoh”, është shprehur Vinladen. /abcnews.al