Aventura e Quique Setien në stolin e Barcelonës zgjati vetëm shtatë muaj (13 janar 2020-17 gusht 2020). Një eksperiencë për t’u harruar, teksa kulmi negativ u arrit me humbjen 8-2 ndaj Bayern Munchen në çerekfinalet e Champions League.
62-vjeçari spanjoll pritet të riniset nga Brazili, aty ku e kërkon Palmeiras. Drejtuesit e klubit nga Sao Paulo shkarkuan Vanderlei Luxemburgo javën e kaluar dhe kanë piketuar Setien si trajnerin e ri të ekipit.
Marca raporton se bisedimet kanë nisur, por nuk parashikohen të thjeshta. Ish-trajneri i Barcelonës preferon të nisë një aventurë në futbollin evropian. Gjithsesi, te Palmeiras besojnë se do ia dalin ta bindin të pranojë ofertën e tyre. /abcnews.al