Mesditën e djeshme u proceduan 18 persona, pas protestës së zhvilluar kundër vizitës së ministrit grek Nikos Dendias në Shqipëri. Mes të proceduarve janë Shpëtim Idrizi, Mesila Doda dhe Bojken Abazi.
Ndërkohë që prokuroria ka mbajtur edhe një procesverbal për sekuestrimet e provave materiale që kanë gjetur. Në procesverbal theksohet se janë sekuestruar 5 flamuj, “3 janë me ngjyrë blu me mbishkrimet PDIU, njëri me simbolet kombëtare dhe një tjetër i shoqatës Çamëria”.
Por nuk mjafton me kaq, pasi në procesverbal jepen edhe të tjera detaje për ngjyrën dhe funksionin e shkopinjve që kanë sekuestruar. “4 shkopinj, të cilët janë përdorur për të mbajtur flamujt të valëviten, ku 3 me ngjyrë të kuqe plastike si ato që përdoren për fshesat dhe një ngjyrë gri me materiale druri” shkruan oficeri i policisë gjyqësore.