Nga Ajgena Korbi
Shqipëria vijon të jetë e fundit në Europë sa i përket numrit të testeve të kryera për Covid 19 megjithë rritjen e pësuar prej ditësh. Muaj të vështirë kemi përpara dhe epidemiologu Ilir Alimehmeti shtimin e mëtejshëm të tyre e sheh të domosdoshëm për kontrollin e situatës.
“Në Europë ne jemi shteti i fundit përsa i përket numrit të testeve në popullatë. OBSH e ka 10% pozitivitetin e testit, ne kemi 20.8%, jemi shumë larg të asaj që mund të quajmë kontroll cilësor. Mesatarisht kur kemi një person pozitiv, kemi testuar edhe 9 të tjerë rreth tij negativ, pra e kemi izoluar këtë person. Kur ne kemi 20%, sikur jemi aktualisht, kemi një person pozitiv dhe 4 të tjerë rreth e rrotull të izoluar, mundësia që një nga 5 të tjerët që do të kishin pasur testuar bie” tha ai.
Epidemiologu Alimehmeti gjithashtu sugjeron rishikim të protokolleve shëndetësore për të infektuarit me koronavirus pa simptoma apo me shenja të lehta klinike. Mjeku sjell në vëmendje udhëzimin e fundit të Qendrës Europiane për Kontrollin e Sëmundjeve Infektive.
“Që simptomatikët apo në rastet e lehta 10 ditë pas tamponit pozitiv, ata udhëzojnë, jo komandojnë, që mund të dalë nga izolimi. Kujdes! Pa tampon, që do të thotë se ti mund të kursesh disa tamponë sot, te këta njerëz, ti nxjerr nga izolimi, të kthehen në jetë dhe mund të përdorsh po të njëjtët tamponë, për gjetjen e rasteve të reja” tha ai.
Rritja e të prekurve nga Sars Co V 2 ditët e fundit ishte e pritshme për epidemiologun Alimehmeti. Ndërsa për të sëmurët që kanë nevojë për trajtim spitalor ndonëse në shifra të larta mjeku thotë se në raport me të infektuarit aktiv janë më pak se në fillim të pandemisë dhe gjatë pranverës./ db/Abcnews.al