Ilir Daja feston sot 54-vjetorin e lindjes dhe të shumta kanë qenë urimet që ka marrë. Trajneri i Partizanit ka kryer një lidhje direkte me emisionin “Sport Time” në Supersport, aty ku flet rreth ditëlindjes më të mirë që ka festuar dhe gjendjes së “Demave të Kuq”.
“Ditëlindjet janë të veçantë, por më të veçanta janë fitimet e trofeve. Më mirë nga të gjitha herët e tjera, e kam festuar te Skënderbeu, kur ishim në grupet e Ligës së Europës. Ka qenë fiks pas ndeshjes me Partizanin e Beogradit, pas asaj loje të shkëlqyer që bëmë në ‘Elbasan Arena’.
Tek të gjitha ekipet që kam drejtuar, ndonëse kishim objektiva të tjerë, lojtarëve u kam thënë të sillemi si kampionë. Kam një skuadër me lojtarë që kanë dalë kampionë, ndaj pse të mos e tentojmë maksimumin?
Bllokimi i merkatos? Ndjej keqardhje për merkaton, por është një kapitull i mbyllur. Ishte piketuar një ekip me afrime që do të përforconte grupin. Afrimet do të rrisnin kualitetin dhe rivalitetin në skuadër, pasi kampionati është i gjatë dhe do të ketë dëmtime dhe kartonë.
Megjithatë, që në fillim e dinim që mund të shkonte edhe kështu, ndaj tani jemi gati të gjithë që të sakrifikojmë për të marrë më të mirën nga ky grup dhe për të çuar sa më lart Partizanin. Sigurisht që stërvitjet janë shumë të nevojshme për të konsoliduar lojën, por ngarkesa maksimale merret në ndeshje.
Sado që t’i ngarkojmë lojtarët në stërvitje, asnjëherë nuk i afrohemi impenjimit të një ndeshjeje zyrtare. Më pas dihet që ndikojnë edhe faktorë të tjerë si gara, dëshira për të bërë mirë apo gjëra të tjera”, deklaron trajneri i Partizanit. /abcnews.al

