Golat e asisti e bëjnë yll, Eduart Rroca vlerësohet në Turqi

schedule14:15 - 20 Tetor, 2020

schedule 14:15 - 20 Tetor, 2020

Eduart Rroca përzgjidhet në formacionin e javës në Ligën e Parë të Turqisë. Ish-mesfushori i Kukësit shënoi dy gola dhe shërbeu pasimin për golin e tretë të skuadrës së tij

I dha zgjidhje një përballjeje tepër të vështirë. Eduart Rroca vazhdoi ta tregonte klasin e tij në Ligën e Parë të Turqisë, me një paraqitje vërtet të shkëlqyer për Instanbulsporin. Futbollisti shqiptar, i cili shkoi në Turqi që nga Kukësi, realizoi dy gola në fushën e Samsunsporit, ndër të cilët i pari ishte vërtet i një niveli të lartë teknik.

Ai dribloi 3 lojtarë vendas përpara sesa ta dërgonte topin në rrjetë. Ky nivel bëri që mesfushori 27-vjeçar nga Librazhdi të përzgjidhej në formacionin e javës në Ligën e Parë, në krah të lojtarëve të tjerë shumë të mirë si Paishao, Burak Ëgyr, Ali Akman apo Mehmet Jeshil.

Në stadiumin e Samsunsporit, Rroca jo vetëm që realizoi dy herë, por e plotësoi paraqitjen e tij me pasimin për golin e tretë shënuar pikërisht në fund nga Kamal Isah. Kjo ndeshje ishte e vlefshme për javën e tretë të kampionatit dhe mesfushori sulmues është tashmë një lojtar standard formacioni për ekipin kryeqytetas.

Istanbulspori ka tri pikë dhe është pretendent serioz për t’u rikthyer në elitën e futbollit turk, me Rrocën që pritet të ndihmojë shumë për realizimin e këtij objektivi. Në një ekip me mesfushorin është edhe sulmuesi anësor, Kristal Abazaj, me të cilin ai ka qenë shok skuadre me të te Luftëtari dhe Kukësi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!